Ambasadori Jensen, diplomati që flet hapur për të vërtetat e hidhura

10/01/2012 00:00

Andrea Stefani – Një intervistë e Karsten Ankjaer Jensen, ambasadorit të Danimarkës në
Tiranë, ka shkaktuar, si rrallë ndonjë prononcim i ndonjë diplomati
europian, tronditje dhe debat në opinion, media dhe në politikën
shqiptare.

Cili është shkaku i këtij reagimi ndryshe? Mendojmë se distancimi i Jensen nga tradita diplomatike për të folur me një gjuhë të amullt për zhvillimet politike pa i dhënë gjithkujt atë që meriton për dështimet e Shqipërisë. Një gjuhë dhe një “diplomaci” që në vend se të ndihmojë në denoncimin dhe kurimin e së keqes, kryesisht në pushtet, ka shërbyer për kamuflimin e saj nën përgjegjësinë e shpërndarë njëlloj tek e gjithë “klasa politike” dhe, në fakt, tek askush. Veçoria thelbësore e diplomacisë ndryshe të Jensen, vendi i të cilit ka radhën e presidencës të BE, duhet kërkuar te të thënurit hapur e të vërtetave që po e mundojnë prej dy dekadash Shqipërinë. Dhe që për fat të keq, diplomacia vetëm se i ka maskuar. Një dallim që duket se nuk është thjesht çështje stili, por i koshiencës se vetëm duke folur hapur, diplomacia europiane mund ta ndihmojë Shqipërinë të dalë nga bataku ku ka ngecur, batak që rrezikon seriozisht projektin e integrimit të saj me Europën. Vetë Jensen e thotë që në krye të herës: “E ndjeva se të flasësh hapur është e rëndësishme për të ndihmuar politikën të kthehet në rrugën e duhur”.

* * *

Ca ditë më parë kam shprehur në një artikull zhgënjimin tim lidhur me standardet e dyfishta të zbatuara nga “ndërkombëtarët” në vende si Shqipëria dhe Hungaria. Ndërsa zhvillimet politike në Hungari po ndiqen me shqetësim dhe Kryeministrit hungarez Orban po i kritikohet gjakimi autokratik për kapjen e të gjitha pushteteve, për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe të medias, në Tiranë ka vite që ndodh krejt ndryshe. Edhe pse kanë ndodhur gjëra të përbindshme, edhe pse në emër të pushtetit janë manipuluar rezultate zgjedhore, edhe pse në emër të një pushteti të korruptuar janë vrarë njerëz dhe është tentuar të kriminalizohet pa faj opozita politike, edhe pse Kryeministri i vendit bëhet gati të fusë në dorë institucionet e fundit si presidenca, prokuroria apo SHISH që ende kanë mbetur jashtë zotërimeve të tij prej despoti, mjaft diplomatë europianë kanë vazhduar të shprehen në publik për një demokraci “funksionuese”, “që përparon”. Por kur punët e demokracisë qenkan kaq mirë përse nuk e fitoi dot Shqipëria statusin e kandidatit? Apo mos vallë duhet të besojmë gënjeshtrat e propagandës vulgare të Kryeministrit që shpall se fajtore për dështimin qenka opozita? Përgjithësisht prononcimet e diplomacisë europiane në Tiranë për zhvillimet politike më të fundit kanë qenë larg së vërtetës madje kundërthënëse edhe me vetë raport-progresin e BE që s’kualifikoi Shqipërinë. Gjë që në fakt, po e korrigjon tani ambasadori Jensen me një intervistë që jep shpresë se ndoshta diplomacia europiane këtej e tutje do të nisë të flasë ndryshe duke hequr dorë nga gjuha e magjistricave të Makbethit dhe duke vënë gishtin në plagët e tranzicionit shqiptar. Gjë që në fakt është detyra themelore e një diplomacie perëndimore që ka për mision të ndihmojë shqiptarët të europianizohen dhe të kurorëzojnë me sukses tranzicionin e integrimit të tyre me Europën. Por deri në këtë moment që po flasim, diplomacia europiane mbetet e dyzuar në qëndrimin e saj. Dhe tashmë nuk ka dallim vetëm mes qëndrimit të ndërkombëtarëve nga Budapesti në Tiranë, por edhe vetë brenda në Tiranë ka dy qëndrime.

* * *

Në vetëm mund të hamendësojmë se cilat janë shkaqet apo interesat që disa diplomatë europianë në Tiranë këmbëngulin të mos i shohin devijancat autokratike të pushtetit, rënien e institucioneve nën presionet dhe thundrën e tij, pafuqinë e gjyqësorit për të goditur krimin pikërisht se mbrohet nga pushteti, dhunimin e të drejtave të njeriut me përjashtimet politike nga punërat, shpërfilljen e së drejtës së pronës, kapjen gjithnjë e më të gjerë nga pushteti të medias edhe me anë të medias. Por ndërkaq jemi të sigurt mbi shkakun se përse një ambasador danez bën të kundërtën duke ngritur alarmin për këto metastaza që rrezikojnë humbjen e shansit të integrimit të Shqipërisë me Europën. Në themel të pasionit të kësaj diplomacie për të kritikuar të keqen është dëshira e mirë për të shëruar politikën shqiptare, për të shpëtuar shansin shqiptar të integrimit në çastet e humnerimit të pakthyeshëm, është dedikimi humanist i një europiani për lirinë e një vendi, edhe pse ai nuk është vendi i tij. Intervista e ambasadorit Jensen bëhet kështu një ndër dokumentet më të rëndësishme të tranzicionit. Për nga impakti që do të ketë në jetën politike ajo përqaset me letrën e hapur që u drejtoi shqiptarëve, muaj më parë, ish-ambasadori amerikan Withers. Një letër ku misioni i një diplomacie në mbështetje të një vendi që rreket të dalë nga kurthet e autokratizmit, jepej në këto pak rreshta: “Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, ne e themi këtë. Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe mediat, ne e themi këtë. Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit: nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik të vendit; nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit, në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë. Dhe nëse parimet universale të demokracisë lihen mënjanë dhe demokracia bën prapa, ne e themi këtë dhe do të vazhdojmë ta themi derisa të fillojë përparimi i vërtetë”. Asgjë nuk ka ndryshuar për mirë nga koha që Withers i shkroi këto të vërteta të hidhura. Zgjedhjet e vjedhura, institucionet e përdhunuara, korrupsioni gërryes, gjykata që mbrojnë të korruptuarit e pushtetit, etja për pushtet pa fund e politikanëve si Berisha, janë po ato. Prandaj demokracia po rrëshqet praptazi. Prandaj edhe ambasadori danez Jensen i denoncon këto të këqija lirivrasëse duke inauguruar një diplomaci që e kërkon realizmin jo te mosdhënia, por te thënia e të vërtetave sado të hidhura të jenë ato. Përpara se të jetë shumë vonë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel