Elert Yzeiri – Në vitin 1997, kur Shqipëria digjej në flakë, e vëllai vriste vëllanë me
lojëra kallashësh, përtej Atlantikut, pikërisht në Hollivud, regjisori i
famshëm Berri Levinson, realizonte mbi romanin “Heroi Amerikan” të
Lerri Beinhart një film të jashtëzakonshëm, luajtur mjeshtërisht nga
Dastin Hofman dhe Robert De Niro, “Seks dhe pushtet” (kjo është
përshtatja nga italishtja, titulli origjinal, “Wag the dog”, që në të
vërtetë është një lojë fjalësh të cilën autori i filmit e shpjegon, se
“Pse qeni tund bishtin e tij? Sepse qeni është më i zgjuar se bishti. Po
të ishte bishti më i zgjuar, do ta tundje ti qenin?…”, pra pak a shumë
është “BISHT QENI”).

Historia është në serinë e temave “Sexgate”, ku për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik, nga një skandal seksual ku është i përfshirë presidenti amerikan, vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, njerëzit e tij të afërt, mendojnë realizimin e një skene të rreme lufte kundër Shqipërisë. Plani për të tërhequr vëmendjen e opinionit, konsiston në dy faza: e para ishte të stimulohej një luftë kundër vendit të vogël ballkanik, akuzuar për favorizim të terrorizmit, duke rrezikuar sigurinë e SHBA-së. Rivali për president tërhiqet nga gara, ndërkohë që për të mos i dështuar plani, njerëzit e presidentit kalojnë edhe në fazën e dytë të planit, ku hapet fjalë se gjatë luftës në Shqipëri, një ushtar amerikan është marrë peng nga terroristët. Kjo më pas bëhet çështje mediatike dhe kthimi i tij prej heroi, bëhet një çështje shumë e madhe patriotike. Më pas, fantazia hollivudiane shfrenohet, duke krijuar pafundësisht episode, ngjarje, të cilat mallëngjejnë popullin, e sigurisht që edhe historia e skandalit seksual të presidentit amerikan është e fundit gjë që mund të trazojë mendjet patriotike të amerikanëve.

Për pak çaste desha t’i gjeja një paralelizëm me realitetin shqiptar, duke menduar se një gjë e tillë do të ndodhte me kryeministrin tonë. Sikur larg qoftë një skandal të ndodhte tani, kur jemi 6 muaj përpara zgjedhjeve të radhës. Në fakt, paralelizmi nuk është aspak i ngjashëm, nëse flasim për moral, pasi te kjo pjesë, kryeministri ynë nuk ka të sharë. Sa u përket skandaleve, aty ke të drejtë zgjedhjeje, nga të gjitha llojet, sepse dhe për t’i mbuluar “Robert De Nirot” dhe “Dastin Hofmanët” që kryeministri ynë ka rreth vetes, kanë filluar t’i bëjnë po aq mirë sa edhe vetë hollivudianët.

Në të vërtetë, sa herë që në Shqipëri vlojnë zërat për ndonjë çështje e cila “cenon” emrin e kryeministrit, familjarëve apo njerëzve të tij të afërt, është e sigurt që të nesërmen, në mbledhjen e qeverisë, të grupit parlamentar apo ndoshta edhe në ato daljet blitz, shefi i qeverisë do të darovisë ndonjë fantazi nga ato që nuk ka regjisor Hollivudi që t’i gjejë zgjidhje. Mediat e amplifikojnë në transmetime të pafundme “live”, opozita e trembur i turret me ca kundërshtime të mekura kursantësh për politikanë, e në harkun e pak orëve ata fundosen brenda tyre, duke bërë që të harrohet edhe skandali apo çështja pararendëse dhe fantazia e kryeministrit të qëndrojë më gjatë në mendjet e shqiptarëve. Kështu vazhdon për çdo ditë, javë, muaj, për plot 8 vjet dhe shqiptarët vazhdojnë të mallëngjehen pafundësisht. Një herë se do të jemi superfuqi energjetike në Ballkan, një herë tjetër se këtu do të ndërtohet stadiumi më i bukur në planet, pastaj kalon te dafinat, ullinjtë, dëshira për të mësuar kinezçen, te “Facebook”-u apo kafka e tretur e Ali Pashës, e së fundmi edhe te futbolli, në një ligë mbarëkombëtare.

Populli thotë se nga e thëna në të bërë, na ndan një det i tërë dhe sërish deti është i thellë për ne shqiptarët, veçanërisht nëse i referohemi fantazisë së fundit të kryeministrit për krijimin e ligës mbarëkombëtare të futbollit. Them fantazi, pasi me gjithë dëshirën e mirë që ekziston në të dyja vendet shqiptare, dhe përtej fantazisë së shfrenuar të kryeministrit, sporti dhe veçanërisht futbolli, është lojë që luhet me rregulla precize dhe të pandryshueshme, e jo me vendime qeverie, që shpesh paracaktohen ndër tavolina kafenesh.

Dhe janë pikërisht dy organizmat më të mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA që i vënë fre manovrës së Berishës. Në statutin e UEFA-s, neni 5, pika 1 thuhet se: Anëtarësimi në UEFA është i hapur për të gjitha shoqatat kombëtare të futbollit, të cilat ndodhen në kontinentin e Europës, duke u bazuar në një vend, i cili është njohur nga Kombet e Bashkuara, si shtet i pavarur dhe të cilat janë përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e çështjeve të futbollit në territorin e vendit të tyre. Kosova numëron më shumë se 90 njohje ndërkombëtare, por ende nuk është anëtare e OKB-së dhe për pasojë, ajo nuk është pranuar në UEFA. Edhe në statutin e FIFA-s, neni 10, thuhet se çdo shoqatë, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe mbikëqyrjen e futbollit në vendin e tij mund të bëhet një anëtar i FIFA-s. Por më parë, ky vend duhet të jetë një shtet i pavarur dhe të njihet nga komuniteti ndërkombëtar. Anëtarësimi është i lejuar vetëm nëse një shoqatë apo federatë futbolli është aktualisht anëtare e një konfederate, në rastin konkret, anëtare e UEFA-s.

Investimi në sport nuk është asnjëherë i gabuar zoti kryeministër, sepse është në të mirë të shoqërisë. Rritja e aktivitetit sportiv zvogëlon problemet shëndetësore, rrit cilësinë e jetës, largon të rinjtë nga veset e këqija të shoqërisë, ndërsa përhap më shumë imazhin e Shqipërisë dhe krenarisë kombëtare. Ju nuk keni bërë asgjë nga këto zoti kryeministër, pasi klasat sportive u zhdukën dhe ekipet e fëmijëve shkaktojnë më shumë drama familjare se sa argëtojnë apo përgatisin të ardhmen e tyre. Klubet sportive aq të suksesshme ndër vite i keni kthyer në vatra militantësh, e në shumë raste të tjera në sheshe ndërtimi për të kënaqur grykësinë e njerëzve që qëndrojnë pranë jush. Kampionët e mëdhenj janë lënë në harresë, ndërsa nuk mund të flitet për të rinj, pasi edhe ata që ju dhe ministri juaj i përgjumur i keni reklamuar së fundmi, janë të fryrë me ilaçe e doping.

Askush nuk po kundërshton krijimin e ligës mbarëkombëtare të futbollit, madje nuk mendoj se një gjë të tillë e bëjnë edhe socialistët, që për të thënë të vërtetën, janë të parët nga politika që e kanë hedhur idenë e bashkimit nëpërmjet sportit, me draftin që ish-kampioni i mundjes, Fidel Ylli, sot kryetar i komisionit për sportin në PS, prej më shumë se një viti e gjysmë është duke e prezantuar nëpër Shqipëri, por bashkimi të bëhet pa hile dhe skenarë pragmatistë elektoralë.

Ndaj me keqardhje mund të them se edhe këtë herë, “krisma” e kryeministrit ishte me fishek manovër, pasi më shumë se sa njerëzit që e duan me shpirt ligën mbarëkombëtare të futbollit është vënë në siklet ministri përkatës, i cili vazhdon të dremisë që nga fillimi në të njëjtin vend, duke buzëqeshur sa herë që i lakohet emri. Ndërsa populli do të vazhdojë “të tundë bishtin”, në pritje të skenarit të radhës…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA