Fotografia shqiptare në Paris

30/12/2011 17:35

Është nostalgjia e një Shqipërie, pasqyrimin e së cilës rrekemi ta gjejmë në sytë e disa njerëzve që na shohin me ngulmim. Dëshmi e prekshme, objekt etnografik, vepër artistësh vështrim i një shoqërie mbi vetëveten.

Prej dy muajsh Shtëpia Europiane e Fotografisë në Paris ka hapur këtë ekspozitë, ndër më të rrallat dhe më të bukurat kushtuar fotografisë shqiptare.

Jo rastësisht, 2 kuratorët e saj, Loic Chauvin dhe Christian Raby e kanë quajtur Mosha e Artë e Fotografisë Shqiptare, dinastia Marubi dhe Rapsodët e Dritës 1858-1945. 87 vjet histori bardhezi që vjen përmes fotove, një pjesë e të cilave nuk kanë qenë kurrë objekt ekspozimi apo botimi.

Bashkë me ekspozitën, dy kuratorët e saj kanë publikuar edhe dy albume fotografike, “Shqipëria një rrugëtim fotografik, 1858 – 1945” dhe “Marubi, një dinasti e fotografisë shqiptare”, me parathënie nga Ismail Kadare.

“Ideja për të celur këtë ekspozitë ka lindur së pari nga interesi për Shqipërinë. Kam mësuar për ekzistencën e këtyre fotove në mesin e viteve ‘80, por atëherë ishte e pamundur t’i shihja. Tani që kjo mundësi u krijua, bashkë me mikun tim vendosëm të bënim dicka, për t’i bërë të njohura këto foto edhe për publikun francez, i cili e njeh keq, ose pjesërisht Shqipërinë. Donim të tregonim këtë pasuri imazhesh, të ndryshme nga ideja që mund të kenë francezët, por dhe europianët në përgjithësi për vendin tuaj”, ka deklaruar Loic Chauvin.

Dhe në fakt vizitorët e shumtë që e kanë parë ekspozitën kanë mbetur të mahnitur nga larmia e fotove mbresëlënëse që ndërthurin habitshëm kulturën europiane dhe ndikimin oriental.

Sic shkruan Kadare në parathënie, në një Shqipëri ku piktura dhe teatri ishin të humbura, Marubët i dhanë jetë artit të tyre duke e lidhur me historinë e Shkodrës dhe mbarë vendit, duke fotografuar vitet e fundit të mbretërisë otomane, vuajtjet, triumfin dhe në të njëjtën kohë ankthin e një populli që rilindte në një epokë të erret në prag të Luftës së Parë Botërore, një vit para 1913 , viti fatal, viti i zi, viti i masakrimit të pjesës më të madhe të trupit të vendit.

60 autorët e fotove janë jo vetëm emra të njohur të dinastisë Marubi, por edhe figura të tjera, që nga Kolë Idromeno, Dhimitër Vangjeli, apo Vangjush Mio, ndërsa një pjesë mbeten anonimë.

Ana ekzotike apo estetike nuk kanë qenë kriteri i vetëm i përzgjedhjes së fotove për ekspozitë, ku shohim një Ahmet Zog jashtë kornizave të një sundimtari, femra që pozojne pa e ditur c’po bëjnë, me natyrshmërinë e një artisteje, ceremoni mortore pa drama të tepruara.

Fotot e ekspozuara përbëjnë një galeri të pasur personalitetesh të Shqipërisë otomane, të kulturës, fesë, politikës, por edhe pamje nga jeta e përditshme në fshat a qytet, ceremoni martesash, portrete familjare, skena të rendomta të një kohe të perënduar mes varfërisë së skajshme.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA