Vlorë, konflikt për pronën

29/12/2011 12:20

Prej katër vjetësh në zonën e vilave qeveritare në Vlorë vijon një konflikt pronësie. Një familje vlonjate ka fituar në të gjitha shkallët e gjykatës të drejtën e pronësisë mbi tokën dhe ka marrë edhe dy leje ndërtimi.

Por gjatë gjithë kohës ajo është përplasur me Drejtorinë e Shërbimit Qeveritar dhe punonjësit e gardës që tentojnë ta largojnë. Tentativa e fundit e gardës për të vendosur një gardh me tela dështoi pas kundërshtimit të familjes pronare të tokës.

Anëtarët e familjes kanë debatuar ashpër edhe me drejtuesën e shërbimit qeveritar në Vlorë. Një prej pronarëve shpjegon se përmbarimi pas vendimit të gjykatës ka vendosur kufirin e tokës së tyre.

“Tani, vijnë ushtarët e gardës dhe punonjësit e zyrës së shërbimit qeveritar me gjithë drejtoreshën e tyre, për të hetuar një kantier ndërtimi me leje ndërtimi të rregullt. Kjo është absurde”, thotë një prej pronarëve.

Ndërsa drejtoresha e shërbimeve qeveritare në Vlorë deklaron se ajo nuk e njeh vendimin e gjykatës por vetëm vendimin e qeverisë.

“Ne nuk kemi asnjë lloj vendimi gjykate, unë kam një vendim qeverie dhe jam e vendosur ta zbatoj atë deri në fund. Nëse nesër mua më vjen një vendim për ta zhbllokuar, unë e zhbllokoj menjëherë. Por në arkivën e Vlorës këta qytetarë nuk rezultojnë pronarë”, thotë drejtoresha.

Prej disa ditësh punonjësit e gardës dhe pronarët e tokës janë bllokuar përballë njëri-tjetrit në këtë konflikt që nuk gjen zgjidhje as me vendime gjykate.

Top Channel