Vijon fluksi në pikat kufitare

29/12/2011 11:15

Shtohet fluksi i lëvizjeve në doganën e Kakavijës, ku në 24 orë kanë hyrë rreth 6200 persona. Në ditët e fundit nga kjo pikë kufitare kanë hyrë në vend rreth 10 mijë persona më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, shtohet edhe numri i personave që preferojnë t’i kalojnë festat jashtë vendit. Nga Kakavija në 24 orët e fundit kanë dalë rreth 4 mijë persona.

Aktualisht pala shqiptare në këtë pikë doganore po punon me 10 sportele, ndërsa pala greke me 6.

Ndërkohë, në pikën kufitare të Kapshticës, në 24 orët e fundit kanë hyrë 5540 persona dhe kanë dalë 3185 të tjerë.

Fundjavën që kaloi në pikën kufitare të Kakavijës kaluan për në Shqipëri për festat e fundvitit rreth 5500 emigrantë nga Greqia.

Pala shqiptare në dy vendkalimet vazhdon të punojë me kapacitete të plota për të përballuar fluksin, ndërkohë që ajo greke punon me personel të reduktuar.

Ndërkohë, emigrantët që kthehen në vend, kryesisht ata nga Italia, kanë filluar të preferojnë edhe portin e Vlorës, ku ditën e diel ka patur një fluks të madh.

Gjatë paradites pati radhë të gjata në sportelet e kontrollit të dokumentacionit, pasi me dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi mbëritën rreth 1700 pasagjerë si dhe 500 automjete.

Top Channel