Topalli me fëmijët e gazetarëve

29/12/2011 19:35

Zakonisht politikanët, mes tyre edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e mbyllin vitin me konferencat e shtypit për gazetarët, por ky fundvit ishte i ndryshëm. Vendin e pyetjeve dhe përgjigjeve të gazetarëve e ka zënë festa për femijët e gazetarëve.

Megjithëse të zhurmshëm dhe të rrëmujshëm si prindërit, femijët e gazetarëve kanë krijuar në sallen e seancave plenare një atmosferë të ngrohtë dhe festive, duke kënduar këngët tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, madje edhe kanë performuar koreografinë e këngëve hit.

Festa me fëmijët e ka nxjerrë Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga rutina me të cilën shfaqet çdo të enjte në seancat plenare me deputetët apo në takimet e zakonshme me gazetarët.

Duke lexuar përralla me fëmijet, duke u përpjekur t’ia jape vetë secilit prej fëmijëve dhuratën e Vitit të Ri dhe duke treguar vëmendje për çdonjërin që i pëlqen të fotografohet, Jozefina Topalli është kujdesur për çdo detaj të festës për ta bërë atë sa me të gëzueshme.

Dhe për këtë nuk duket se do të marrë ndonjë kritikë nga prindërit gazetarë, për të cilët gëzimi i fëmijëve ishte lajmi i vetëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.  

Top Channel