Vatikani, mesazh urimi Presidentit Topi

28/12/2011 00:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori një mesazh nga Papa Benedikti XVI me rastin e kremtimit të Ditës së 45-të Botërore të Paqes, e cila do të festohet më 1 janar 2012.

Mesazhi iu dorëzua kreut të shtetit nga Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés.

“Fillimi i Vitit të Ri, dhuratë kjo e Hyjit për njerëzimin, më nxit t’u drejtoj të gjithëve, me besim dhe dashuri të madhe, një urim të veçantë për kohën që kemi përpara, me qëllim që ajo të jetë konkretisht e shënuar prej drejtësisë dhe prej paqes”, thuhet në mesazhin e Vatikanit.

Më tej Ati i Shenjtë, u drejtohet para së gjithash të rinjve duke u paraqitur mesazhin e “një perspektive edukuese” me bindjen se ata “me entuziazmin dhe idealizmin e tyre, mund të ofrojnë një shpresë të re për botën. Duhet t’u kumtohet të rinjve vlerësimi dhe vlera pozitive e jetës, duke ngjallur tek ata dëshirën për ta përdorur jetën në shërbim të së mirës”.

Papa Benedikti XVI e mbyll mesazhin e tij duke i shprehur Presidentit Topi “urimet më të mira për paqe dhe përparim për Vitin e Ri 2012, vit në të cilin Shqipëria do të kremtojë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj”.

Top Channel