Ish-ministri: Putin, gati për dialog

27/12/2011 10:55

Ish-ministri rus i Financave, Alexei Kudrin ka deklaruar se kryeministri Vladimir Putin është i gatshëm për dialog me opozitën dhe që zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm të jenë tërësisht të ndershme.

Duke iu përgjigjur valës së kontestimeve ndaj lidershipit aktual rus, kudrin ka bërë të ditur se është takuar me Putin para se të merrte pjesë në manifestimin e madh të së shtunës dhe se ai i kishte shprehur gatishmërinë e tij.

Dhjetëra mijëra persona u mblodhën në qendër të Moskës fundjavën e kaluar për të shprehur inatin e tyre ndaj mashtrimeve të bëra në zgjedhjet e fundit parlamentare në Rusi.

Ata miratuan rezolutën “për të mos i dhënë as edhe një votë të vetme kryeministrit Vladimir Putin” në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Lideri i protestës, Alexei Navalny i tha turmës që të duartrokiste fortë, për të treguar se rusët nuk do ta tolerojnë më korrupsionin.

“Unë shoh mjaftueshëm persona këtu për të marrë Kremlinin menjëherë, por ne jemi njerëz paqësorë dhe nuk do ta bëjmë këtë, ende jo”, deklaroi Navalny.

Protestuesit thanë se zgjedhjet parlamentare të katër dhjetorit, që u fituan nga partia e kryeministrit Putin, ishin të manipuluara, akuza këto që mohoen nga qeveria.

Një det me protestues ecën përgjatë Sakharov Avenue, disa milje larg Kremlinit, në temperatura të ulëta që shkonin nën zero.

Lideri i fundit i Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbachov, në një prononcim për një radio moskovite i bëri thirrje kryeministrit Putin që të jepte dorëheqjen e menjëhershme.

“Do t’i këshilloja Vladimir Putinit të japë dorëheqjen menjëherë”, theksoi Gorbaçov, i cili e argumentoi sugjerimin e tij me kontestimet masive që po i bëhen qeverisë ruse.

Top Channel