Kinë, 10 vjet burg aktivistit

26/12/2011 16:40

Një aktivist i njohur kinez, që ishte përfshirë në protestat e vitit 1989 në sheshin Tienanmen, është dënuar me 10 vjet burg nga autoritetet kineze.

Chen Xi është dënuar për për mohim të pushtetit të shtetit pasi gjyqi ndaj tij zgjati vetëm disa orë. Ai kishte publikuar online disa ese që kritikonin Partinë Komuniste.

Burgimi vjen dy ditë pasi një aktivist tjetër, Chen Wei, u burgos për akuza të njëjta.

Grupet për të drejtat e njeriut shprehën indinjimin e tyre dhe akuzuan Pekinin se po përdor përiudhën e Krishtlindjeve për të mbuluar veprimet e regjimit të tij.

“Kjo metodë funksionon shumë mirë, pasi në kohën e Krishtlindjeve nuk ka aktivitet diplomatik”, ka deklaruar Nicholas Bequelin nga Human Rights Watch.

“Dhe kur diplomatët të jenë kthyer në tryezat e tyre të punës, sekuencat e këtyre lëvizjeve do të jenë harruar”, ka shtuar më tej aktivisti i HRW.

Bashkëshortja e Chen Xi, Zhang Qunxuan, tha për gazetarët se bashkëshorti i saj ishte i pafajshëm, por nuk bëri një apel “të kotë” kundër dënimit të tij.

“Chen Xi i tha trupit gjykues të mos i merrte në konsideratë gjërat që ai kishte shkruar, duke thënë se fjalët e tij janë interpretuar jashtë kontekstit. Por ata kanë pushtet në dorë dhe nuk dëgjojnë”, ka thënë Qunxuan.

Aktivisti veteran kishte postuar 36 ese online dhe në faqen e tij kishte hapur një forum për të drejtat e njeriut. Ai ishte dënuar disa herë që pas përshirjes në protestat e vitit 1989.

Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë thonë se Pekini ka një politikë të rreptë dhe afatgjatë për ndëshkimin e aktivistëve që refuzojnë të ndërpresin shkrimet e tyre anti-regjim.

Top Channel