Urimi i presidentit Bamir Topi

24/12/2011 00:00

Presidenti i Republikës,Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik u shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, duke theksuar: “Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e Festës së Krishtlindjes, të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për Ju dhe, përmes Jush, për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo jetojnë e punojnë!”

“Lindja e Krishtit, për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, është një ngjarje, e cila, për madhështinë e saj dhe mesazhin e shpresës dhe të përtëritjes, që për më shumë se dy mijë vjet u ka përcjellë popujve, përkujtohet solemnisht. Në këtë ditë feste ne urojmë që ato të mbizotërojnë jo vetëm në shtëpitë e besimtarëve, në tempujt e shenjtë, por edhe tek të gjithë njerëzit me vullnet e shpirt të mirë në të gjithë botën”, shton presidenti në mesazhin e tij.

“Në kushtet e qytetërimit modern, shumë njerëz e humbasin drejtimin e tyre shpirtëror dhe moral, por, për ata që sinqerisht kërkojnë dritën e së vërtetës, besimi tek Zoti dhe tek vlerat më të larta humane do t’ua ndriçojë e lehtësojë udhën”, përfundon mesazhi i presidentit Topi.

Top Channel