Korrupsioni mbyt biznesin

23/12/2011 00:00

Një studim i realizuar nga “Business Albania”, në bashkëpunim me
Organizatën Botërore të Punës në 500 kompani shqiptare, ka dalë në
përfundimin se biznesi shqiptar ndrydhet nga korrupsioni dhe kërcënohet
nga krimi i organizuar.

“Mbi 489 nga 500 të pyetur thonë që është problem korrupsioni”, thotë Bardhi Sejdarasi, nga “Business Albania”.

Enver Ferizaj që drejton këshillin e agro-biznesit u shpreh se “korrupsioni është në një masë të konsiderueshme, duke nisur që nga pushteti lokal e deri te pushteti qendror”.

“Vërtetë që për të marrë një regjistrim biznesi, kemi lehtesira, të cilat shkojnë një orë, dy orë, por i kthejmë pastaj poshtë, atëherë ata nisin pengesat””, tha Ferizaj. Sipas tij, në bujqësi ka edhe të tjerë faktorë shtesë që pengojnë biznesin.

“Referencat jane gangrene e bujqësisë. Nuk është e drejtë qe referenca te jete në një kohë kur tregu është bosh, masat frigoriferike nuk i kemi në ze. Atëherë të shohim ligjet dhe referencat e kohës së prodhimit”, tha Ferizaj.

Luan Bregasi thotë se ky studim u krye për t’i bërë të qartë qeverisë shqetesimet me të cilat përballet cdo ditë biznesi në terren, të cilat shpesh politika nuk i sheh.

“Regjistrimi online i biznesit, pagimi online i detyrimeve fiskale, regjistrimi dhe licensimi elektronik janë disa nga hapat e vlerësuara edhe nga sipërmarrja private, por nga ana tjetër nga anketimet rezulton se një pjesë e administratës, që kanë lidhje me biznesin, sillen jo mirë, sajojnë probleme dhe inkurajojnë qëndrime që mërzisin biznesin dhe sipërmarrjen private”, tha Bregasi.

Vec korrupsionit dhe krimit, faktorë të tjerë që sipas “Business Albania” pengojnë biznesin janë efektiviteti i gjyqësorit me 88%, presioni administratës me 76% dhe vështirësitë në kreditim me 62.4 për qind.

Top Channel