Strategjia e re e zhvillimit

21/12/2011 20:15

Shqipëria ka nisur hartimin e strategjisë së re të zhvillimit deri në vitin 2020, ku dy prioritetet madhore të vendit do të jenë “Shqipëria, vend i zhvilluar” dhe “integrimi i vendit në Bashkimin Europian”.

Për arritjen e këtyre dy objektivave, sipas kryeministrit Berisha, disa nga shtyllat kryesore si rrugët më të sigurta për zhvillim dhe arritjen e standarteve do të jenë: programi i Shqipërisë dixhitale, ai i pyllëzimit me dru frutorë, si dhe reformat në arsim.

“Strategjia 2013-2020 do të ketë si objektiva madhore: Shqipëria, vend i zhvilluar; Shqipëria, vend i integruar në BE. Kjo është detyra jonë, ky është objektivi ynë, kjo është ëndrra jonë. Në rrafshin strategjik, gjithmonë je i detyruar të mendosh të pamendueshmen, të imagjinosh të paimagjinueshmen, në rast se do që të kristalizosh një vizion frymëzues”, deklaroi Berisha.

Strategjia e zhvillimit të vendit deri në 2020-ën, sipas kryeministrit, do të konsultohet me shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit, në mënyrë që të marrë prej tyre idetë më të mira për zhvillimin e vendit.

Gjithashtu, kryeministri Berisha vlerësoi si një faktor shumë pozitiv bashkëpunimin e opozitës për rishikimin e planit kombëtar të integrimit, i cili duhet të përfshihet në strategjinë e re, si një nga shtyllat kryesore të saj.

Top Channel