Kuvend, debate për “Albpetrol”

15/12/2011 11:55

Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Shqipërisë është diskutuar mbi projekt/ligjin për formulën e privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, ku kanë rënë në sy qëndrimet e ndryshme të pozitës dhe opozitës.

Deputeti demokrat Florion Mima ka deklaruar se shoqëria “Albpetrol” do të privatizohet në masën 100%, gjë që sipas ministrit të METE, Nasip Naco, do t’i sjellë më shumë të ardhura shtetit.

“Privatizimi 100 për qind i “Albpetrol” bën të mundur që për shtetin shqiptar të sigurohen më shumë të ardhura”, ka deklaruar Naco gjatë fjalës së tij.

Por formula në fjalë është kundërshtuar nga deputetja e opozitës, Mimi Kodheli, e cila ka theksuar se privatizimi i kompanisë shqiptare të naftës duhet të jetë së pari një proces transparent.

“Privatizimi i “Albpetrol” duhet të jetë një proces transparent. Tek privatizimi i “Albpetrol” të merret parasysh interesi i shqiptarëve. Privatizimi 100 % i kompanisë nuk është opsioni më i mirë. Asnjë reformë nuk mund të ketë sukses nëse burimet njerëzore do të injorohen”, ka deklaruar Kodheli.

Edhe deputeti tjetër socialist Arben Ahmetaj është shprehur kundër procesit të privatizimit të “Albpetrol”, duke theksuar se ajo është pasuri e shqiptarëve dhe jo vetëm e shtetit shqiptar.

“Formula që ju ofroni sot është e paqartë, e pasaktë dhe mund të përfundojë në afera korruptive. Ne nuk duam që “Albpetrol” të privatizohet 100% sepse nuk është momenti i duhur. Investitorët strategjik provohen gradualisht, sepse bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë”, ka thënë Ahmeti.

Më herët gjatë seancës, nga radhët e opozitës foli edhe deputeti Saimir Tahiri, i cili e vuri theksin tek ngjarja e denoncuar në emisionin “Fiks Fare”, për përdorimin e makinave diplomatike për trafik droge.

“Makina e ambasadës sonë në Çeki përdoret për trafik droge. Nga shoferët deri te ministrat janë kthyer në një bandë të përlyer korrupsioni. Ky shtet dhe kjo qeveri nuk ofron më siguri për qytetarët”, tha Tahiri.

Top Channel