Edhe rrobat e Taylor në ankand

15/12/2011 16:35

Vetëm një ditë pas ankandit të thesarit të ikonës Elizabeth Taylor, ankand i cili theu çdo rekord të mundshëm ku u grumbulluan 116 milionë dollarë, radhën e pati ankandi i veshjeve të ikonës i cili gjithashtu shënoi një rekord.

Sipas organizatorëve, edhe ky ankand veshjesh shënoi një rekord sepse asnjëherë më parë veshjet e një personazhi të famshëm nuk janë shitur kaq shtrenjtë

Prej këtij ankandi të mbajtur në Nju Jork, janë grumbulluar 2.6 milionë dollarë dhe aty u shitën një pjesë e mirë e veshjeve të cilat janë mbajtur në ekran apo përditshmëri nga një prej aktoreve më të famshme të Hollywood-it.

Një ndër veshjet e dizenjuara nga Christian Dior është shitur në ankand për 362.500 dollarë. Ndërsa një fustan i trashë me punim argjendi i cili është blerë nga aktorja në vitin 1968 është vlerësuar në këtë ankand për 5.000 dollarë, një shumë pakëz e papritur nga organizatorët, por ama duke qenë një fustan me histori.

 Edhe të tjera veshje e çanta janë shitur për shuma të konsiderueshme. Mund të përmendet një bolero e dizenjuar nga Versace me imazhet e Taylor në rolet e filmave ku ka qenë protagoniste u shit për 128.500 dollarë.

Aktorja hollivudiane, Elizabeth Taylor u shua në muajin mars në moshën 79-vjeçare dhe prej asaj kohe, njerëzit e ankandeve rendën që të organizonin gjithçka më së miri me sigurinë se ankandet e mbajtura për të do të shënonin rekorde.

Top Channel