11 milionë dollarë për perlën e Liz Taylor

14/12/2011 00:00

“Peregrina” e famshme, perla unike e shekullit XVI që ishte pjesë e koleksionit të xhevahireve të Elizabeth Taylor, është shitur nga Christie’s në Nju Jork për 11.84 milionë dollarë.

Ky është një rekord botëror përsa i përket shitjes së një bizhuterie me perlë. Perla, e varur në një varëse me diamantë, rubinë dhe perla të tjera është një dhuratë që Richard Burton i ka bërë divës së kinemasë.

Cmimi fillestar i “Peregrina”-s ishte 3 milionë dollarë. Ankandi i Christie’s u hap të martën për koleksionin e ish-divës së Hollywood-it Elizabeth Taylor dhe nga shitjet u grumbulluan plot 116 milionë dollarë. Vetë organizatorët prisnin që shifra të mos ishte më e lartë se 30 milionë.

Ankandi i Christie’s do të vazhdojë të mërkurën me koleksionin e rrobave të Taylor ku bien në sy fustane të Pucci-t të viteve ’60, xhaketa të Versace-s dhe disa veshje të Christian Dior.

Elizabeth Taylor u nda nga jeta në marsin e kaluar në moshën 79-vjeçare pas një infarkti në zemër.

Top Channel