Siri, autoritetet akuzojnë OKB-në

13/12/2011 15:15

Autoritetet siriane refuzuan të pranojnë shifrën prej 5 mijë viktimash në konfliktin civil, të dhënë gjatë të martës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori i Sirisë në OKB protestoi kundër shifrave të lajmëruara nga Komisionerja e të Drejvate të Njeriut, Navi Pillay, duke i konsideruar ato si “jo të besueshme”.

Sipas raportit zyrtar, shumica e 5 mijë viktimave janë civilë, të vrarë në protesta nga autoritetet apo nga shkëmbimi i zjarrit midis ushtrisë së rregullt dhe Ushtrisë së Rebelëve Sirianë.

Damasku zyrtar fajëson militantët e armatosur dhe bandat e keqbërësve për trazirat që po ndodhin. Regjimi është bërë gjithmonë e më izoluar së fundmi, por Rusia, një aleat i vjetër i Sirisë, vazhdon të mos i bashkohet zërave që dënojnë dhunën në vend.

”Presioni i perëndimit dhe Turqisë ndaj Sirisë është një kanosje për sferën tonë tradicionale të ndikimit”, shkruhej në një artikull në një revistë zyrtare. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, akuzoi gjatë të martës opozitën siriane, për inskenimin e një katastrofe humanitare, për të jusfitikuar një ndërhyrje ushtarake mbi vendin.

”Përtej të gjithë dyshimeve, është e qartë që qëllimi i rebelëve është të krijojnë një katastrofë humanitare për t’i dhënë komunitetit ndërkombëtar një preteks për të sulmuar ushtarakisht vendin”, theksoi Lavrov, i cili gjithashtu dënoi sanksionet unanime të Ligës Arabe ndaj Sirisë.

Ndërkohë, gjithashtu gjatë ditës, shtatë trupa qeveritare u vranë në një pritë nga ana e rebelëve, në përgjigje të vrasjes së 11 aktivistëve, në orët e para të mëngjesit.

Top Channel