Leonard Boduri – Në vazhdim të analizës të tregut të energjisë elektrike në vend do të
marrim në konsideratë rolin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit,
kompanisë shtetërore të transmetimit të energjisë.

OST sh.a. ka në pronësi rrjetin e tensionit të lartë të energjisë, që përbëhet nga linjat elektrike të tensionit të lartë në nivelet e tensionit 400 kv, 220 kv, 110 kv, si dhe nënstacionet transformuese elektrike, funksioni i të cilave përfshin transmetimin dhe interkonjeksionin ndërkombëtar. Rrjeti i transmetimit të energjisë është i lidhur me tregun ndërkombëtar të energjisë, me anë të linjave të interkonjeksionit me Greqinë, Malin e Zi dhe me Kosovën (Serbinë). Përfundimi i linjës së interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Podgoricë në muajin gusht të këtij viti ka rritur kapacitetet e importit të energjisë në nivelin total të 820 MWh, duke zbutur problemin e kapaciteteve importuese dhe karakterin “ishullor” të tregut shqiptar të transmetimit të energjisë elektrike në raport me tregun rajonal të energjisë.

Sistemi shqiptar i prodhimit të energjisë bazohet kryesisht në prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet me një kapacitet të instaluar prej pothuajse 1,450 MW dhe një mesatare vjetore prodhuese prej rreth 4,200 GWh nga tre lumenjtë më të mëdhenj të veriut të Shqipërisë. Hidrocentralet më të rëndësishme janë vendosur pranë kaskadave të lumit Drin dhe të gjithë së bashku ata prodhojnë 1,350 MW. Kjo fuqi nuk është e mjaftueshme për plotësimin e të gjitha kërkesave të tregut dhe në varësi të kushteve të motit dhe menaxhimit të dyshimtë të rezervave ujore, diferenca e krijuar është kompensuar nëpërmjet importit të energjisë. Roli i OST sh.a. është tejet i rëndësishëm në kushtet e pamjaftueshmërisë së prodhimit vendas, për shkak të rritjes progresive të kërkesës nga përdoruesit e energjisë elektrike, të cilët konsumojnë 500-1,400 MW gjatë periudhës së dimrit dhe 300-1,000 MW gjatë periudhës së verës. Kështu që rritja e kapaciteteve të importit të energjisë deri në 820 MW me anë të linjave të interkonjeksionit i ka dhënë një frymëmarrje tjetër tregut të energjisë.

Në bazë të tarifimit të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, OST-ja arkëton 0.6 lekë për çdo kWh të “transportuar” nëpërmjet linjave të saj. Duke iu referuar të dhënave zyrtare KESH sh.a. ka detyrim kontraktual të furnizojë me 70% të energjisë për CEZ Shpërndarje, e cila përbën një sasi vjetore prej 5.4 miliardë kWh. Nga këto të dhëna zyrtare kuptojmë se sasia e transmetuar në vit në linjat e OST sh.a. është rreth 7.7 miliardë kWh, ose 4.62 miliardë lekë (të reja) të arkëtuara në favor të kompanisë shtetërore të transmetimit. Në të ardhurat vjetore të kompanisë nuk janë përfshirë të ardhura të tjera që mund të lidhen me tarifat e transmetimit të energjisë me destinacion tregun ndërkombëtar. Këto të ardhura të konsiderueshme janë të rëndësishme jo vetëm në planin afatshkurtër, por edhe në planin afatgjatë për OST sh.a., duke u dhënë garanci institucioneve financuese partnere në kuadrin e investimeve në sistemin e transmetimit.

Investimet për të mbështetur projektet për përmirësimin e kushteve të sistemit energjetik të transmetimit në lidhje me mbulimin e territorit dhe rritjen e kapaciteteve për import-eksportin e energjisë elektrike, janë shumë të rëndësishme jo vetëm për OST sh.a., por edhe për tregun energjetik vendas në tërësi. Një rol kryesor mbështetje për financimin e tyre ka marrë qeveria e Republikës Federale Gjermane nëpërmjet bankës KfW. Mbështetja e saj nuk është ndalur në realizimin e projektit të linjës 400 kv së interkonjeksionit me Malin e Zi, me një vlerë prej 43 milionë eurosh, por ka vazhduar edhe me mbështetjen financiare prej 90 milionë eurosh që do të përdoren nga Operatori i Sistemit të Transmetimit sh.a., për ndërtimin e linjës 400 kv Shqipëri-Kosovë, si dhe për ndërtimin e një hallke të të ashtuquajturës Unaza e Jugut, e cila synon të furnizojë me energji zonat turistike të bregdetit të Jonit dhe duke vazhduar në formë rrethore deri në Zemlak të Korçës. Realizimi i këtyre investimeve do të shtojë kapacitetet eksportuese dhe importuese të Shqipërisë dhe do të garantojnë një sistem të sigurt energjetik për pjesën jugore të vendit.

Ndërtimi pa vonesë i linjës së interkonjeksionit me Kosovën do të lejonte rritjen e sasisë së shkëmbimit të energjisë dhe do të rriste eficencën e përdorimit të burimeve në të dyja vendet me përfitime të konsiderueshme financiare. Jo më pak i rëndësishëm është realizimi i projektit të Unazës së Jugut, duke ofruar një mbështetje cilësore për turizmin, një nga sektorët prioritarë për ekonominë shqiptare. Të harruara dhe vetëm në letër mbeten projekti për lidhjen e sistemit energjetik të transmetimit me Maqedoninë dhe gjithashtu edhe projekti i mirëmarketuar për realizimin e një linje interkonjeksioni me Italinë. Të mbështetur në argumentet e mësipërme, mund të themi se OST sh.a., një hallkë e rëndësishme e sistemit energjetik të vendit, e ka kapërcyer periudhën e saj më të vështirë dhe përgjithësisht është futur në një rrugë zhvillimi pozitiv, pavarësisht hapave të ngadaltë në realizimin e investimeve të rëndësishme. Përmirësimi dhe shtimi i kapaciteteve dhe i cilësisë së transmetimit të energjisë do të reduktojë uljen e humbjeve teknike në rrjet dhe do të tentojë, në planin afatgjatë, të lehtësojë xhepat e qytetarëve. Nga ana tjetër, ndërtimi i një rrjeti transmetimi modern të energjisë dhe me kapacitet të lartë i shërben edhe faktorizimit të tregut vendas në tregun rajonal të energjisë. Duke u mbështetur në analizën e gjendjes aktuale, mund të themi se OST sh.a. është ngjitur gjatë këtij viti prej ferrit energjetik në purgatorin energjetik, me prirje pozitive për të ardhmen e sistemit energjetik në tërësi…

Gazeta “Shqip”

Top Channel