“Ji e uritur, ji e etur për dije”

10/12/2011 00:00

Evina Sheta – “Stay Hungry, stay Foolish” është fraza që Steve Jobs ua drejtoi jo
rastësisht studentëve universitarë në një nga fjalimet e tij të fundit.

Dija nuk ka kufi: kërkon këmbëngulje, vullnet të forte angazhim, guxim për të tejkaluar limitet. Jobs iu drejtua studentëve duke shpresuar në një rini që ka guxim për të ndryshuar, për të krijuar një vend më të mirë. Të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve shenjëlënëse globale.

Çdokush nga ne ka lexuar apo dëgjuar për pranverën arabe, për BRICS (Brazil, Rusi, India, Kinë, Afrika e Jugut) që po rrëmbejnë vrullshëm leadership-in në arenën ndërkombëtare, apo për protestat e shumta që po ndodhin në sheshet kryesore të kryeqyteteve europiane.

Jemi ne, të rinjtë shqiptarë, pjesë e kësaj rryme inovative, revolucionare? Jemi ne të ndërgjegjshëm për detyrën që shoqëria jonë po na imponon?

Fatkeqësisht, rinia shqiptare hesht, është pasive. Duket sikur nuk shqetësohet për çka koha po sjell, ka frikë të përballet. Ajo nuk ka guxim, nuk ka zë. Ajo merr frymë heshturazi, tenton t’i shmanget detyrës që ka. Duhet të fajësojmë shkollat shqiptare që nuk arrijnë të krijojnë një klasë intelektuale të aftë për të sjellë ndryshim? Duhet vallë të fajësojmë telenovelat që po turbullojnë, mjegullojnë mendjet rinore e si pasojë sjellin këtë papërgjegjshmëri kolektive? Mos vallë duhet të drejtojmë gishtin drejt institucioneve ineficente? Mediat joinformative?

Panairi i librit pasqyroi një rënie drastike në numrin e lexuesve. Mbase është koha që të lihet mënjanë kafja e pasdites apo telenovela e preferuar e gjyshes. Janë librat ato që frymëzojnë, që indikojnë rrugën që duhet ndjekur. Ne jemi brezi fatlum që kemi informacionin një klikim larg. Asgjë nuk është statike, gjithçka mund të ndryshojë.

Ne patëm fatin të mos e njihnim diktaturën; rinia e viteve ’90 këmbënguli e luftoi që të na dhuronte një vend demokratik. Ata shpresonin në një vend më të mirë për ne. Kërkuan të na jepnin një të ardhme europiane, ku zëri i çdokujt dëgjohet e vlerësohet. Ato patën kurajën e frymëzimin e nevojshëm që të çanin barrierat institucionale, ato arritën të ndjenin adrenalinën e revolucionit, e ndryshimit. Sot na takon ne, bijve të tyre, të ndryshojmë vendin ku ata po plaken e fëmijët tanë do të rriten.

Nuk është shumë të kërkosh një jetë më të mirë. Nuk është shumë të kesh ëndrra e të kërkosh perspektiva për jetën. Nuk është don-kishotiane shpresa e një vendi meritokratik. Nuk është e tillë as dëshira e të pasurit një qeveri më të dhembshur e më përfaqësuese. Nuk është naive shpresa për të pasur një shoqëri/sistem që na ndjek hap pas hapi, që na jep incentiva për t’u rritur e për t’u formuar.

Jemi ne që duhet të kërkojmë nga shteti ynë përgjigjje, shpresë apo besim.

Mjaft më me premtime boshe! Sytë e shpresës shqiptare janë drejtuar drejt nesh! Mos fli Rini! Ji e uritur! Ji e etur!

Gazeta “Shqip”

Top Channel