Ardian Bujupi, pop star-i i gjermanëve

09/12/2011 19:25

Ardian Bujupi është një nga këngëtarët e rinj më të pëlqyer në Gjermani dhe vende të tjera europiane. Djaloshi kosovar doli i treti në talent shown ‘Gjermania kërkon një superstar’.

Sot ai ka publikuar albumin e tij më të ri dhe ka dhënë këtë intervistë ekskluzive për gazetarin Flavio Qarri, për emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.

Për ku je nisur sepse je në makinë dhe intervistë në makinë me Skype nuk kisha bërë kurrë.

Jam në Laipcig për momentin dhe po shkoj të jap autografe në dyqanet që shesin CD-të e mia.

Kur ke shkuar për herë të parë në Gjermani?

Në vitin 1993, kur kam qenë vetëm 2 vjeç.

E prisje këtë sukses para se të merrje pjesë në ‘Superstar’?

Kurrë nuk më kishte shkuar mendja se do të kisha një sukses kaq të shpejtë dhe të madh. Gjithmonë jam marrë me muzikë, por kurrë nuk kam ëndërruar një sukses të tillë, as kur isha i vogël.

Ti praktikisht  je gjerman, por komuniteti shqiptar në Gjermani bën pjesë tek Fan Club-i yt?

Patjetër, kosovarët dhe shqiptarët po më përkrahin shumë.

Më trego pak ndjesinë kur kombësi të tjera përveç shqiptarëve janë fansat e tu.

Është ndjenjë shumë e bukur kur sheh gjermanë, austriakë, suedezë etj. që të vlerësojnë punën. Unë shoh përpara dhe dua që të njihem edhe më shumë ndërkombëtarisht.

Këngët e tua janë hite të pamohueshme, por në shqip kur do të këndosh?

Kam kontaktet e mia në Kosovë dhe kam në plan të bëj një këngë shqip për në periudhën e verës.

Tiranën e ke vizituar ndonjëherë?

Vetëm një herë me familjen kur kam qenë i vogël, nuk kam kontakte në Tiranë. Unë edhe në Kosovë nuk kam qenë, vetëm në disa raste kur duhej të shkoj në Prishtinë për punë.

Kush janë këngëtarët e preferuar shqiptarë dhe të huaj?

Elvana Gjata ka një zë fenomenal dhe muzika e Flor Mumajesit më pëlqen. Përsa i përket të huajve më pëlqen Usher.

Cfarë po ndodh me jetën tënde dashurore dhe sa ka ndikuar fama?

Unë për momentin jam i përkushtuar 100% tek puna dhe nuk kam kohë për femrat.

Top Channel