Në prag të Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, në një takim me
studentë të Fakultetit Juridik në Tiranë kreu OSBE-së, Eugen Wollfarth e
cilësoi korrupsionin në Shqipëri, si një plagë djallëzore me impakt
shkatërrues për shoqërinë shqiptare.

Por kush janë faktorët, të cilët pavarësisht përpjekjeve anti-korrupsion e rëndojnë akoma më shumë këtë plagë shoqëruese të procese demokratike në Shqipëri? Përgjigjja Wollfarth është e thjeshtë: Tolerancë zero, duke filluar nga zyrtarët e lartë.

“Angazhimi i qartë i autoriteteve për të luftuar korrupsionin nuk është pasuar gjithmonë nga një zbatim konsekuent i ligjeve ekzistuese. Duhet të krijohet një regjistër më bindës dhe më i qëndrueshëm i historikut të vendimeve të gjykatës dhe të ndiqet një politikë më e ashpër dënimesh dhe/ose gjobash në rastet e korrupsionit, sidomos në ato raste ku përfshihen zyrtarë të lartë. Përvec kësaj trajtimi i vendosur dhe transparent i rasteve që lidhen me akuza për korrupsion pavaresisht statusit të të akuzuarve,  mbetet një tregues kyc i pavarsisë gjyqësore. Mund të shtoj se imuniteti i plotë i zyrtarëve të lartë publikë duke përfshirë edhe gjyqtarët mbetet pengesë kryesore për hetim efikas dhe të sukseshëm”, tha Wollfarth.

Ambasadori Wollfarth theksoi rëndësinë e medias në luftën kunder korrupsionit, si një mjet vendimtar, sic tha ai, në arritjen e përgjegjshmërisë në procest publike vendimmarrëse.

Adriatik Llalla, kreu Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive u tha studentëve se organi i tij ka një rol parandalues me abuzimin e pushtetit publik, nëpërmjet kontrollit të pasurive dhe se po kryhen hetime jashtë Shqipërisë për disa zyrtarë.

“Inspektoriati ka në hetim disa raste të zyrtarëve, që janë në kontroll për pasuri të dyshuara jashtë vendit. jemi në pritje të informacioneve që kemi për këto raste. Po hetojme disa raste, kryesisht në shtetet e rajonit, në Evropë, po kryesisht vende rreth Shqipërisë. Në hetime përfshihet edhe Qipro”, tha Llalla.

Përfshjirja e Qipros në këto hetime ka të bëjë me ministrin Genc Pollo, për të cilin në parlament deputeti Taulant Balla tha se dyshohet per një llogari bankare në këtë shtet të cilën nuk e ka përfshirë në deklarimin e pasurisë.

Top Channel