Amerika përkujton tragjedinë e “Pearl Harbor”, e konsideruar nga të gjithë si 11 shtatori i shekullit të XX.
Në 7 dhjetor të vitit 1941, një sulm i befasishëm i avionëve luftarakë japonezë, zë të papërgatitur “Pearl Harbor”, bazën ushtarake më të madhe amerikane në Paqësor.
Vala e parë e sulmit nisi në orën 07:51 të mëngjesit të 7 dhjetorit ku morën pjesë 183 avionë japonezë, vala e dytë mbërriti mbi Pearl Harbor në orën 08:30 dhe merrnin pjesë 170 avionë japonezë, bombardues dhe luftarakë.
Zyrtarisht u numëruan 2403 të vrarë, nga të cilët 68 civilë dhe 1178 të tjerë të plagosur, disa prej tyre të gjymtuar rëndë.
Me zbardhjen e mëvonshme të dokumentacionit, rezultoi se bilanci i viktimave dhe humbjeve në kampin amerikan, mund të reduktohej ndjeshëm, nëse komandantët udhëheqës të bazës do të kishin respektuar sinjalizimet e radarit, që sapo u ishte dhuruar amerikanëve nga anglezët. E njëjta aparaturë u lejoi “Royal Air Force” të fitonin betejën ajrore me Gjermaninë një vit para tragjedisë së Pearl Harbor në Angli, edhe pse superioriteti i avionëve gjermanë ishte i dukshëm.
“Zotëri, ekrani i kësaj aparature tregon një mori pikash! Cfarë duhet të bëj?”, iu drejtua njëri prej ushtarakëve që monitoronin radarin eprorit të tij. Por ky i fundit neglizhoi alarmin e dhënë nga aparatura duke i thënë vartësit: Harroji!
Sulmi në Pearl Harbor tërhoqi edhe Shtetet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Deri në 7 dhjetor 1941, SHBA kishte zgjedhur të vëzhgonte betejën mes Britanisë, Francës, Rusisë e shumë vendeve të tjera nga njëra anë, me bllokun nazi-fashist të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë.
Top Channel