Pavioni i viktimave të komunizmit

06/12/2011 01:34

Periudha e  komunizmit ka qenë padyshim një nga më të vështirat që ka kaluar populli ynë në historinë e tij. Në Muzeun Kombëtar pritet të rihapet së shpejti një pavion i veçantë kushtuar terrorit komunist.
 

Pavioni i cili u hap për herë të parë në vitin 96, do të ketë të ekspozuara shumë sende vetiake, të personave që u persekutuan, burgosën dhe vranë në kohën e monizmit.

Ndër materialet e vecanta, ndodhet një letër dërguar Enver Hoxhës nga Edip Tërshana, një prej aktivistëve të luftës, në vitin 1947. Në të, ai dënonte politikat antikosovare të qeverisë dhe vrasjet e padrejtësitë që i bëheshin popullit.

Veshjet që viktimat kishin në trup në momentin e vrasjes, disa prej tyre të gjakosura apo të mbushura me shenjat e plumbave që ju morën jetën, instrumentet e torturës, apo edhe sendet personale të jetës së përditshme, mbartin me vete një histori të dhimbshme.

Ndër të tjera, në vitrina do të ekspozohen edhe objekte të cilat tregojnë se kultura dhe dija triumfojnë edhe në kohë vuajtjesh e izolimi. Koloneli Idris Ruka, ka qenë një nga të persekutuarit e sistemit. Në qelinë e tij të burgut ai shkroi një sërë dorëshkrimesh, të cilat u nxorrën jashtë me ndihmën e familjes me anë të një cante të vjetër.   

 “Në përgjithësi ky pavion do të ndjekë kriterin kronologjik, që do të thotë  se do të merremi me viktimat e terrorit komunist nga viti 45-90, por brenda tij sigurisht nuk do të mungojë as, si të thuash, ai parimi i tematikës ”, tha Sotirulla Hoxha, Shefe e Sektorit të Historisë dhe Muzeologjisë në Muzeun Kombëtar.

Krahas fotove dhe dokumentave të ish pavionit të ngritur në muze në vitin 1996, pavioni i ri do të pasurohet  me të tjera, të panjohura më parë.

Gjithashtu do të vendosen edhe disa monitorë, në të cilët do të jepen kronika e filma dokumentarë, që përmbajnë materiale për terrorin komunist në Shqipëri si dhe procese gjyqësore me zë.

Top Channel