Kriza e euros tremb Metallica

06/12/2011 00:00

Kriza e euros nuk ka trembur vetëm pensionistët, ndërmarrjet e mëdha, punonjësit dhe bankat e të gjithë kontinentit të vjetër.

Edhe Metallica, grupi amerikan që me muzikën e tij dukej se nuk trembej nga asgjë, ka filluar të dridhet nga rëniet e frikshme në bursat evropiane.

Duke pasur parasysh se kanë një numër marramendës fansash në Evropë, të ashtuquajturit Four Horsemen kanë vendosur të afrojnë turneun e tyre në anën tjetër të oqeanit, nga viti 2013 të parashikuar fillimisht, në vitin 2012.

Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i tyre njujorkez, Cliff Burnstein, jo për ndonjë revistë apo radio të rëndomtë, por për prestigjozen “Wall Street Journal”.

“Nuk jam një ekonomist, por diploma të ndihmon. Duhet gjithmonë të pyesësh se cili është momenti më i mirë për të bërë dicka, kur dhe ku. Në vitet e ardhshme dollari do të bëhet më i fortë dhe euroja më i dobët dhe për rrjedhojë dua që djemtë ta bëjnë turin tani, sepse kështu do të ketë më shumë fitime”, ka deklaruar Burnstein.

Të njëjtën lëvizje të menaxherit të Metallica duket se ka bërë edhe ai i grupit kalifornian Red Hot Chili Pepper, të cilët kanë mbërritur në Evropë më parë nga sa kishin lajmëruar.

Top Channel