“Shqip”: Dita e Rinisë

05/12/2011 22:05

Situata e studentëve, në kuadër të Ditës së Rinisë, ka qenë tema e debatit në emisionin “Shqip” në Top Channel.

Një numër i madh studentësh të mbledhur tek auditori i madh i Fakultetit të Juridikut kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me ligjin e ri të qeverisë, që u imponon atyre disa zgjedhje.

Konkretisht, studentët e pranishëm kanë kundërshtuar vendosjen e provimit të Toeflit si kusht për ndjekjen e studimeve për një master shkencor.

Pedagogia Iris Luarasi, e ftuar në një panel pedagogësh, ka argumentuar se gjuha angleze është një domosdoshmëri për studentin, por jo një detyrim.

“Jam kundër Toeflit si kusht, por një student me master shkencor duhet të ketë patjetër një gjuhë të huaj”, ka thënë Luarasi.

Ndërsa pedagogu tjetër Mark Marku, njëkohësisht edhe deputet i mazhorancës qeverisëse, ka deklaruar se anglishtja vetëm sa bën më konkurrent studentin kur aplikon në tregun e punës.

“Kam qenë kundër këtij argumenti me arsyen, përse vetëm anglishtja dhe jo gjuhë të tjera? Gjithashtu, kam kërkuar që testi të jetë i përballueshëm nga studentët, të mos jetë i kushtueshëm dhe të jetë i besueshëm. Kur kam qenë pedagog i brendshëm kam luftuar për të mbrojtur pavarësinë e fakulteteve, sepse cdo fakultet ka specifikat e veta. Por anglishtja do t’ju bëjë ju më konkurrent në tregun e punës”, iu është drejtuar Marku studentëve.

Nga ana tjetër, një prej studenteve të pranishme ka kundërshtuar duke deklaruar se ligji që detyron testin e Toeflit cënon autonominë e universitetit dhe të drejtën e studentit për të zgjedhur fushën e vetë të studimit.

Ndërsa një studente tjetër është shprehur se studentët duhet të jenë të aftë të bëjnë studime e kërkime edhe në gjuhë të tjera, përvec shqipes.

“E rëndësishme është që studentët të kenë vullnetin për të punuar në gjuhë të huaja. Kjo do të rriste kapacitetet e kërkimit shkencor në Universitetin e Tiranës”, ka thënë ajo.

Më tej, pedagogia Iris Luarasi ka shtuar se ligji i miratuar nga qeveria dhe më pas nga Parlamenti nuk mund t’i vërë vulën cështjes së kushteve për ndjekjen e masterit. Sipas saj, ligji në fjalë mund të kthehet dhe të rishikohet e të hartohet sipas nevojave të studentëve dhe fakulteteve të caktuara.

“Thuhet se kjo tani është një cështje e mbyllur sepse ligji ka kaluar në Parlament. Por unë mendoj se s’ka cështje të mbyllur, pasi ligji mund të kthehet në Parlament nëse ka gabime. Duhet vetëm pak grintë”, ka nënvizuar Luarasi.

Në pjesën e fundit të “Shqip”, të organizuar në një nga sallat e leksioneve të Universitetit të Tiranës, studentët ngritën shqetësimin e mungesës së tregut të punës.

Studentët nga juridiku thanë se rreth 700 persona diplomohen në vit në Fakultetin e Drejtësisë dhe ngritën pyetjen se ku do të gjejnë tregun e punës të sapodiplomuarit?

Por përkundër pretendimeve të të rinjve student, ishte deputeti i Partisë Demkratike dhe pedagogu i gazetarisë, Mark Marku. Për zotin Marku ekzistojnë mundësitë për punësim.

“Të punësohesh ka mundësi sepse ne kemi patur në gazetari mbi 70 përqind të studentëve që kanë qenë në punë edhe gjatë studimeve. Atja janë të punësuar edhe sot”, deklaroi zoti Marku.

Top Channel