Korcë, masa për qarkullimin e mjeteve

01/12/2011 00:00

Stina e dimrit e cila në rajonin jug-lindor priret të jetë e karakterizuar më së shumti nga reshjet e borës, ka bërë që nga ana e Drejtorisë së Rrugëve të merren masa për menaxhimin e situatave problematike dhe për shmangien e bllokimit të segmenteve të ndryshme rrugore.

Sipas të dhënave, pavarësisht motit të mirë është bërë furnizimi me kripë dhe skorje të cilat do të përdoren përgjatë gjithë aksit nacional Kapshticë-Qafë Thanë, ndërsa i kushtohet edhe një vëmendje më e madhe rrugëve në fshatrat turistike të Dardhës dhe Voskopojës të cilat për shkak të lartësisë së tyre paraqesin shpesh një problematikë të theksuar.

“Sasia e kripës e depozituar në të gjitha akset e rajonit të Korcës për momentin është rreth 300 ton, 500 metër/kub granil, rreth 16 mjete borë-pastruese janë gati dhe mendoj që do të kalojmë me sukses këtë periudhë. Ne përqendrohemi në aksin me fluksin më të madh, atë Kapshticë-Qafë Thanë, për të mbajtur këtë aks gjithmonë të lirë dhe në kushte sa më të mira, mundësisht pa zinxhir edhe në reshje të mëdha”, deklaron Drejtori i Drejtorisë së Rrugëve në Korcë, Kreshnik Zgjani.

Një ndër zonat më problematike përsa i përket sasisë të konsiderueshme të reshjeve të borës që regjistrohet gjatë stinës së dimrit mbetet ajo e Ersekës, e sidomos në Qafën e Qarrit ku kalimi i automjeteve është tepër i vështirë.

Top Channel