Në 5 Prill 1939, Mbretëresha Geraldinë lindi një djalë. Vetëm disa orë pas lindjes së birit të Ahmet Zogut, me anë të një rezolute, Parlamenti kërkon largimin e familjes mbretërore nga Shqipëria.

Greqia, Turqia, Spanja e Franca ishin vendet mikëpritëse të familjes Zogu. 20-vitet e fundit larg atdheut Leka Zogu i kaloi në Afrikën e Jugut, në Johanesburg.

Megjithëse në mërgim, Ahmet Zogu, me rastin e 18-vjetorit të Princit Leka, në 5 Prill 1957 e shpall atë trashëgimtar të Fronit Mbretëror. Në bazë të Statutit të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928 dhe me vdekjen e Ahmet Zogut, në 1961 trashëgimtari i tij, Princi Leka, në praninë e qindra shqiptarëve të ardhur nga shumë shtete të botës, bëri betimin në Hotelin “Bristol”, duke u shpallur Mbreti Leka i Parë.

Ishte viti 1993, kur Lart Madhëria e Tij, preku sërish tokën shqiptare pas largimit kur kishte qenë vetëm 2ditësh. Erdhi në Shqipëri për të përhapur idenë e monarkisë. Por, pasi u dëbua nga Shqipëria, u rikthye sërish në 97-ën për të zhvilluar një referendum. Cila do të ishte forma e regjimit?

Edhe këtë herë u rrëzua! Monarkia mori vetëm 36% të votave. Në 3 Korrik 1997 rreth 2000 vetë mblidhen në Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës, për të kundërshtuar rezultatin e Referendumit. Nën udhëheqjen e Leka Zogut dhe Abedin Mulosmanit nisen drejt godinës së KQZ-së. Tentojnë të hyjnë brenda me forcë duke u përleshur me forcat e sigurisë. Bilanci : 1 i vdekur dhe disa të plagosur. Kështu detyrohet të largohet sërish nga Shqipëria

Disa vite më vonë, me kërkesën e Parlamentit shqiptar, në 25 shkurt 2002, Zogu i dhe familja e tij rikthehen përfundimisht në Tiranë pas 63 vitesh në mërgim.Ideja që mbrojti deri në ditën e fundit të jetës ishte: “Jam krejtësisht i vendosur që t’ia arrij qëllimit që Shqipëria, të dalë si etni, shtet modern, demokratik, e lulëzuar e me mundësira për jetesë”.

U aktivizua në jetën politike të vendit duke krijuar në 29 maj 2004 partinë “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”. Pavarësisht problemeve shëndetësore, zhvilloi një fushatë të gjerë elektorale. Përfundimi? Sërish zhgënjyes!

U tërhoq nga politika në 2006-ën për të vazhduar jetën jashtë palëve dhe partive politike.
Leka, u dekorua me urdhërin e lartë të Lidhjes së Prizreni edhe nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kurse disa kohë më parë, ai u bë firmëtari i 20.000 i peticionit kundër regjistrimit etnik të shqiptarëve. Ndërron jetë në moshën 72-vjecare duke lënë pas vetëm një djalë, Princ Leka II-të.

Suzana, bashkëshortja e Lekës së I-rë lindi në klinikën Viktoria në Afrikën e Jugut. Me një vendim të posatshëm të qeverisë, kjo klinikë u konsiderua territor ekstraterritorial. Territor shqiptar!

Pavarësisht se ishin larg vendit, pinjolli i familjes mbretërore është një princ me dokumenta dhe gjak shqiptar. Por, a do të mund ta vazhdojë ai traditën e të parëve të tij?
“Unë po, kam lindur në Afrikën e Jugut, por jam shqiptar dhe do luftoj e punoj për Shqipërinë etnike”, u shpreh në mbërritjen e tij Princi.

Me largimin nga jeta të Leka Zogut I, mbyllet edhe një tjetër dëshmi e gjallë e historisë së vendit tonë. Cfarë do të ndodhë tani me familjen mbretërore??? Këtë do ta shohim me kalimin e kohës…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA