Europa League, kualifikohen PSV dhe Atletiko

30/11/2011 23:29

Europa League mbyll javën e pestë të fazës së grupeve dhe disa prej ekipeve siguruan kalimin për më tej të këtij aktiviteti. PSV Eindhoven dhe Legia Varshavë janë dy prej skuadrave që mbyllën të gjitha llogaritë përpara kohe.

PSV Eindhoven fitoi ndaj polakëve 3-0 duke blinduar vendin e parë në Grupin C. Nga ana e saj Legia nuk u shqetësua shumë per disfaten pasi me 9 pikët e grumbulluara e sheh veten në fazën tjetër. Fitorja e Hapoel Telaviv me Rapidin e Bukureshtit 3-1 është vetëm sa për statistikë për këtë grup pasi të dyja ekipet janë të eliminuara.

Në Grupin A, PAOKU mori një fitore të rëndësishme ndaj Totenhemit 2-1 duke siguruar kualifikimin për në 1/32 e finaleve të Europa Ligë. Me këtë fitore skuadra greke u ngjit në kuotën e 11 pikëve dhe në ndeshjen e fundit me Rubin Kazan do të kërkojë të ruajë vendin e parë. Nga ana tjetër Totenhemi do t’i duhet të fitojë me cdo kusht me Shamrokun dhe të shpresojë në një humbje të Rubin Kazanit për të pasur mundësinë e kualifikimit. Skuadra ruse fitoi ndeshjen me Shamrokun 4-1 duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve.

Në Grupin B, Standard i Liezhit e sheh veten që tani mes 32 ekipeve më të mira të Europa Ligë. Skuadra belge fitoi ndaj Hanovërit me rezultatin 2-0 duke përforcuar pozitat në krye të grupit. Edhe Hanovëri është shumë pranë kualifikimit dhe në ndeshjen e fundit i mjafton një barazim për të qenë në fazën e tjeter. Kopenhagen e mbylli në barazimin 1-1 ndeshjen me Vorsklën.

Klub Bryzh dhe Braga kualifikohen për më tej. Të dyja këto skuadra fituan ndeshjet e javës së pestë në Grupin H respektivisht nga Mariborit dhe Birmingemit. Bryzhi vuajti shumë përballë Mariborit që arriti të marrë kryesimin deri në rezultatin 3-0, por belgët arritën të përmbysin gjithcka duke e mbyllur ndeshjen 4-3. Në Portugali Braga mundi Birmingemin 1-0 dhe në sfidën me Bryzhin do të kërkojë të sigurojë vendin e parë.

Në grupin G, Metalist siguroi kalimin për në fazën e dytë. Skuadra ukrainase fitoi ndeshjen e javës së pestë me Austrinë e Vjenës me rezultatin 4-1 duke u ngjitur në kuotën e 13 pikëve. Në ndeshjen tjetër Alkmari barazoi me Malmon 0-0 dhe do t’i duhet të luajë ndeshjen e fundit me Metalistin për kualifikimin e mëtejshëm.

Në Grupin I, Atletiko Madrid fitoi me Selltikun 1-0. Ishte Arda Turan ai që vulosi fitoren për skuadrën spanjolle që tashmë e ka siguruar kualifikimin për më tej. Në sfidën tjetër të Grupit I, Udineze barazoi me Rëne 0-0, por do të jetë ndeshja me Selltikun ajo që do të vendosë nëse skuadra italiane do të vazhdojë apo jo aventurën në Evropë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA