“Amadeus” në Teatrin Kombëtar

30/11/2011 00:00

Që Volfgang Amadeus Mozart është eksponenti kryesor i klasicizimit  dhe ndër gjenitë e historisë së muzikës botërore, këtë e dëshmojnë kryeveprat e tij, shkëlqimin e të cilave nuk ka kohë që e zbeh.

Për fat të keq, ato që nuk gjenden, janë eshtrat e gjeniut, i cili kur u nda nga jeta, ishte i pavlerësuar dhe si i tillë u trajtua.

Këtë gabim të njerëzimit, e konsideron si  një faj të madh regjisori Altin Basha, i cili nga 1 nëntori vë në skenën e TK dramën “Amadeus, ose borxhi i pashlyer i njerëzimit”, bazuar në pjesën teatrale të Peter Shaffer.

“Nuk mendoj që “Amadeus” është historia e thjeshtë mes një talenti dhe një mediokriteti. Ne do të shohim më thellë si lind kompleksi i ineroritetit, raportet e shoqërisë më artistin”, tha regjisori Altin Basha.

Fatos Sela dhe Marin Orhanasi interpretojnë respektivisht Salierin dhe Mozartin. Kompozitori italian urren rivalin e tij austriak, gjenialiteti i të cilit, po e vinte në hije.

“Është një personazh me ulje ngritje të cuditshme, që do të thotë që për çdo aktor do të ishte një sfidë”, theksoi aktori, Marin Orhanasi.

Drama zhvillohet mes rrëfimit të Antonio Salierit me publikun dhe kthimit në kohë të ngjarjeve. Gjë kjo që ka përcaktuar edhe skenografinë, një cels sol me zgjatim drejt publikut, për një komunikim më të drejtpërdrejtë me të, përgatitur nga Iliriana Basha, së bashku me kostumet.

“Amadeus” do të shfaqet në TK nga e enjtja deri të dielën, ora 19.00.

Top Channel