Shqipëria e madhe artistikisht

29/11/2011 19:00

Kohët e fundit “Hajde te Alma” është kthyer në një nga shprehjet më popullore nëpër rrugë! Por, para se ne të shkonim tek Alma, kjo e fundit erdhi tek ne në fillim të viteve 90!

Menjëherë pas ardhjes së demokracisë, artistët shqiptarë nga Kosova e Maqedonia realizuan atë që politikisht sot ende është herezi! Shqipëria e madhe!

Armend Rexhepagiçi do të ishte një nga të parët që do të shkelnin kufirin! Shumë e çuditshme iu duk shqiptarëve performanca e “Kalle Kalle” në festivalin e 1992! Sot, artistët nga trevat shqipfolëse janë jo vetëm një realitet, por një prezencë po aq e madhe sa shqiptarët e Shqipërisë! Mjafton të kthejmë në kujtesë edicionin e tretë të Top Fest, ku fitues u shpall Alban Skënderaj dhe Kthjellu me këngën “Diçka”!

Një vit më parë Ermal Fejzullahu ishte shpallur këngëtari më i mirë mashkull ndërsa për femrat ishte Big Mama sa për të vendosur balancën mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë!
 
Sa për nostalgji, nëse ka dy gjëra për të cilat do të mbahet mend viti 1997 është lufta në Shqipëri dhe sigurisht kënga “Lozonjare” e Albërie Hadërgjonajt!
 
Nuk është nevoja as të përmendim “Top Fest 6”, ku fituese u shpall Linda Halimi e cila e ëndërronte këtë çmim me këngën “Ëndërroja”! Sikur mos të mjaftonin çmimet e ndryshme të artistëve nga Kosova apo Maqedonia, janë gazetat që dëshmojnë dashurinë dhe peshën e tyre në Shqipëri! Pothuajse çdo javë ka lajme të ndryshme, në mos kopertina të fituara me meritë nga këta të fundit! Të bukur, të talentuar e mbi të gjitha shqiptarë!
 
Adelina Ismajli është një nga emrat aq prezent në shtypin e shkruar! Dimë çdo gjë me përpikmëri ditore për të e për pothuajse të gjithë artistët! Edhe në ekranet muzikore situata është e njëjtë, madje është e kotë të flitet për një ndarje të tillë! E nëse politikisht Shqipëria e madhe është herezi, artistikisht herezi është Shqipëria e veçuar!
 
Në tregun muzikor një nga rekordet historike të shitjeve do të mbajnë albumet e Elita 5! Mendohuni pak se sa herë keni kënduar me sa zë keni pasur në kokë këngën “Al Kapone”!

U menduat? Tani kujtohuni për të gjithë emisionet ku janë kërkuar talente të ndryshëm dhe me siguri do të kujtoni edhe pjesëmarrës nga Kosova, Vesa Luma dhe Teuta Kurti sa për t’ju ndihmuar.

Shumë nga ju do të habiten tani pasi shumë pak shqiptarë e mbajnë mend Vedat Ademin si kosovar! I kudondodhur nëpër klubet e Tiranës, ndjekësit e rregullt nuk kanë ndërmend të pakësohen! Është aq prezent nëpër Shqipëri sa kryetari i bashkisë! Një artiste tjetër që kemi dashuruar është me siguri Altuna Sejdiu! Gjysma e meshkujve shqipfolës iu afruan depresionit kur ajo u martua! Një Shqipëri e tërë u trishtua kur ajo nuk fitoi “Top Fest 4” edhe pse iku me çmimin “Best Song”!

Do të flasim tani për Hip Hop! E përfytyroni dot këtë rrymë në shqip nëse do t’i hiqnit Tingullin 3nt! Getoar Selimi po ngjitet drejt statusit të 2 Pac, të paktën për të mirën tonë është akoma gjallë.

Të ftuar, të paparacuar, të intervistuar e gjithçka tjetër. Kudo ka artistë kosovarë, maqedonas e malazezë për të njëjtën arsye pse i nënshtrohen të njëjtit trajtim si ata të lindur në Shqipëri, për shkak të kombësisë, gjuhës dhe talentit!
 

Top Channel