Nata në fshatin Jegenicë, në veri të Kosovës, ka kaluar e qetë dhe vijon të paraqitet e tillë, ndonëse tensionet nuk mungojnë.
Sipas raportimeve të “RTK”, në këtë zonë është vendosur një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it, ndërkohë që vihet re edhe një prani e madhe e grupeve serbe.
Mësohet se gjatë natës ushtarët ndërkombëtarë kanë djegur dy tenda të mëdha të protestuesve, prej nga ishte qëlluar ndaj tyre më herët gjatë së hënës.
Dy ushtarë mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave, që erdhën pasi trupat lëvizën një barrikadë në Jagnjenicë.
Më pas, aktet e dhunës u përsëritën në orët e vona të mbrëmjes, kur protestuesit përdorën mjete shpërthyese dhe bomba molotov, duke plagosur 23 ushtarë të KFOR-it.
Në reagimin e tij ndaj ngjarjes, misioni i NATO-s ka deklaruar se, protestuesit serbë nuk mund të konsiderohen më si protestues paqësorë, arsye për të cilën ushtarëve u është udhëzuar të përdorin municion të vërtetë.
Deri më tani KFOR ka përdorur vetëm spraj, gaz lotësjellës, plumba gome dhe cisterna uji për të shpërndarë protestuesit serbë.
Sulmi u dënua nga misioni EULEX dhe zyrtarët kosovarë, si presidentja Jahjaga, qeveria e kryeministrit Thaci dhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, i cili tha se kriminelët serbë po fitojnë guxim duke sulmuar edhe trupat ndërkombëtare.
Top Channel