Rusi, shkatërrohet organizata kriminale

28/11/2011 16:40

Policia ruse, në bashkëpunim me shërbimet sekrete lokale, kanë shpartalluar një organizatë kriminale aktive në pastrimin e parave.

Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë ruse të shtypit, sipas të cilave organizata kishte transferuar ilegalisht jashtë vendit mbi 100 miliardë rubli, ose 2.4 miliardë euro.

Sipas burimeve, grupi kriminal ishte organizuar nga shtetasi rus Roman Nedialkov, i cili ka rezultuar me precedentë të shumtë penalë, kryesisht të natyrës ekonomike.

Personi në fjalë është arrestuar. Burimet shtojnë se në organizatë bënin pjesë edhe ekonomistë profesionistë, që ndihmonin grupin të fuste paratë në banka dhe bursa.

Krimi i organizuar rus është shumë aktiv në pastrimin e parave si brenda edhe jashtë Rusisë, si në Evropë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dy prej bosëve më të njohur të saj, Semion Mogilevich dhe Alimzhan Tokhtakhounov janë mes bosëve të mafias më të kërkuar në botë.

I pari konsiderohet përgjegjës për një mashtrim milioner në dëm të mijëra biznesmenëve, që kanë pësuar një agresion prej 150 milionë dollarësh.

Ndërsa i dyti, i njohur edhe me nofkën “Taivanezi” për tiparet e tij orientale, akuzohet për pastrim parash, zhvatje dhe trafik droge.

Top Channel