Konsujt e nderit në Tiranë

28/11/2011 00:00

Festimeve të 28-29 Nëntorit u janë bashkuar edhe 40 konsujt e nderit të
Shqipërisë në botë. Fillimisht atyre u është rezervuar një pritje nga
zëvëndëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto,
ku merrte pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo
Bumci.

Ministri Haxhinasto ka vlerësuar rolin e konsujve, duke i cilësuar ata, si pjesë përbërëse e trupit diplomatik shqiptar.

“Përkujdesje më e madhe ndaj komunitetit dhe diasporës shqiptare në vendet ku jetoni, është një objektiv i yni madhor, integrimi i tyre në shoqëritë tuaja, është gjithashtu një objektiv tjetër madhor. Po kështu ne dëshirojmë që përvecse integrimit të tyre të mbajmë të ndezur edhe dashurinë e këtyre komuniteteve e kësaj diaspore për dheun mëmë. Një sfidë e madhe e jona është gjithashtu të ndihmojmë shtetin e ri të Kosovës, të njihet ndërkombëtarisht si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit të Ballkan, prandaj jam i sigurt se ju do të angazhoheni dhe do të na ndihmoni dhe për këtë objektiv madhor”, tha Haxhinasto.

Konsujt e nderit janë pritur edhe nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila fjalën e saj ia kushtoi ndryshimeve që ka pësuar Shqiperia dhe nevojën e promovimit të mëtejshëm të vendit tonë në botë.

“Unë e shoh si shumë të vecantë takimin me konsujt e nderit në mbarë botën. Ashtu sic e kanë thënë burra të mëdhenj të globit, liria funksionon dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, cdo ditë tregon se ajo funksionon në mënyrën më të shkëlqyer. Por ne jemi po aq të vetëdijshëm se liria duhet shoqëruar me sensin e madh të përgjegjesisë. Natyrisht cdo gjë që ndodh me vendim tim dhe në kombin tonë kërkon dhe avokatët kudo në gjithë vendet e botës. Unë disa prej jush i njoh, i kam takuar në vende të ndryshme, unë e di për punën tuaj të mrekullueshme, për përkushtimin tuaj në promovimin e Shqipërisë, në avokaturën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, tha Topalli.

Top Channel