Egjipti voton, protestat vijojnë

28/11/2011 08:45

Egjiptianët kanë nisur të votojnë në atë që konsiderohet si faza e hapjes së zgjedhjeve të para në vend që prej rrëzimit të ish-presidentit Hosni Mubarak në muajin shkurt.

Egjipti hyn kështu në një tjetër fazë të tranzicionit. Votimet për anëtarët e Dhomës së Ulët të parlamentit filluan sot dhe përfundojnë në fillim të janarit. Zgjedhjet për Dhomën e Lartë të parlamentit përfundojnë në muajin mars, pas të cilave asambleja e sapozgjedhur do të hartojë kushtetutën e re.

Që në mëngjes herët radhë të gjata njerëzish ishin mbledhur përpara qendrave të votimit në Kajro. Kryetari i Këshillit Ushtarak qeverisës deklaroi një ditë më parë se vendi ndodhet në një udhëkryeq dhe mund të shkojë drejt zgjedhjeve të suksseshme që do ta bëjnë Egjiptin më të sigurtë ose drejt një gjendjeje të rrezikshme që forcat e armatosura nuk do ta lejojnë.

Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja tepër të rënda nëqoftëse trazirat e tanishme politike në vend nuk marrin fund shpejt. Protestat vazhduan edhe dje në sheshin Tahrir, ku demonstruesit përsëritën kërkesën e tyre që ushtria t’ia lërë menjëherë pushtetin një “qeverie të shpëtimit kombëtar” e cila të udhëheqë vendin deri në zgjedhjen e presidentit.

Grupe të rinjsh revolucionarë, udhëheqës të protestave, kanë propozuar që udhëheqësi i opozitës, nobelisti Mohamed El Baradei të kryesojë administratën kalimtare civile me zëvendësa nga i gjithë spektri politik.

Udhëheqja e propozuar do të zëvendësojë Këshillin Ushtarak Qeverisës në periudhën e tranzicionit të Egjiptit në demokraci. El Baradei tha të shtunën se do të hiqte dorë nga konkurrenca për presidencën e Egjiptit nëse do t’i kërkohej zyrtarisht të udhëhiqte një qeveri të tillë.

Top Channel