28 Nëntori, të pavarur por jo të lirë

28/11/2011 00:00

Andrea Stefani – Shqiptarët festojnë sot 99-vjetorin e pavarësisë, por jo atë të lirisë.
Një pohim që tingëllon absurd për veshët e shumëkujt. Sepse si mund të
jesh i pavarur dhe njëherazi jo i lirë?

Por ja që kështu është, dhe
pikërisht një gjë e tillë është e keqja që vazhdon t’i gërryejë shpresat
e shqiptarëve për një Shqipëri më të mirë, për një Atdhe më të mirë.

Qysh në vitin 1897, kur shqiptarët nuk e kishin fituar ende mëvetësinë nga Perandoria Otomane, Faik Konica shkruante në gazetën ‘Albania’, i alarmuar për faktin se shqiptarët nuk kuptonin fare se çfarë qe liria. Dhe shkruante fjalë shumë të rënda për ta:

“Janë nja 50 shqiptarë që e kuptojnë ç’është liria: ata nukë më shkrojtin gomarërira… Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra; mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut… më mirë të shesë mut njeriu, se tëshkrojë për shqiptarët”. Konica ishte mjaft i shqetësuar dhe i zemëruar që shqiptarët nuk ja thoshin fare nga liria. Prandaj, edhe pse shqiptarët ndodheshin ende nën robërinë otomane, ai nuk e gjymtonte konceptin e tij të lirisë vetëm me shkëputjen dhe pavarësimin nga turku. Por, për Konicën liria ishte shumë më tepër se pavarësia. Dhe mungesa e lirisë ka qenë e mbetet e keqja e prapambetjes kronike të Shqipërisë, edhe pas fitores së pavarësisë. Vendin e të keqes së huaj e zuri e keqja shqiptare, shtypja e turkut, e italianit apo gjermanit, është pasuar nga shtypja e shqiptarit prej shqiptarit, nga kaosi dhe konflikti për të rënë pastaj në monarkinë autokratike të Zogut e më pas, te një e keqe edhe më e thellë, nën diktaturën komuniste. Konica e ndjente se edhe pse i pavarësuar nga sundimi i huaj, një komb nuk mund të përparonte nëse nuk shndërrohej në një popull me lirinë në shpirt. Prandaj, në vigjilje të Pavarësisë, këmbëngulte t’u çante kokën gomerëve (pra, shqiptarëve) dhe t’u shpjegonte se ç’është liria. Sepse e dinte që pa lirinë, një shtet, edhe pse i pavarur nga i huaji, do të ishte po ashtu i mbushur me mizori, prapambetje dhe varfëri si edhe nën sundimin e huaj. Pavarësia është një shans që t’i hapet udha lirisë duke këputur prangat e huaja, por nëse nuk pasohet nga liria, pavarësia bëhet maskë e një skllavërie të re, madje jo rrallë, edhe më e tmerrshme se ajo nën zgjedhën e huaj.

* * *

Dhe, a nuk ndodhi pikërisht kështu me shqiptarët? A nuk ishte diktatura komuniste një regjim që mburrej se u solli shqiptarëve lirinë nga pushtuesi i huaj? Dhe, a nuk kanë festuar për 45 vjet shqiptarët festën e Pavarësisë nën fishekzjarrët e diktaturës së proletariatit, fishekzjarrë që zbukuronin skllavërinë komuniste me “liri”? A nuk po përpiqen skllavëruesit e sotëm të shqiptarëve, të përfitojnë nga festa e Pavarësisë për t’u shitur si patriotë, ndërsa farkëtojnë pranga të reja “demokratike” për shqiptarët? A nuk po përpiqen që nën fishekzjarrët e festës, të nderimit për veprën e Ismail Qemalit apo Isa Boletinit, të fshehin krimin e tmerrshëm të dhunimit të lirisë? Dhe, do të vazhdojnë ta bëjnë këtë lojë sa kohë që shqiptarët do vazhdojnë të mos kuptojnë se ç’është liria dhe pra edhe kush janë vrasësit e sotëm të saj që ata, si edhe dje, vazhdojnë t’i duartrokasin tribunave, ndërsa betohen për lirinë që sapo e kanë vrarë. Konica shkruante se liria është të besojë njeriu, të thotë, të shkruajë e të bëjë ç’i do zemra. Përveç atyre që janë kundër lirisë së një njeriu tjetër. Edhe sot e kësaj dite ka shumë shqiptarë që nuk kanë një koncept të tillë për lirinë. Shumë shqiptarë nuk besojnë, nuk thonë dot, nuk shkruajnë e nuk bëjnë dot çfarë u do zemra, sepse pengohen nga të tjerë shqiptarë të besojnë, shkruajnë, thonë e veprojnë si jua thotë zemra. 99 vjet pasi u pavarësuan nga i huaji, shqiptarët vazhdojnë të vrasin e gjymtojnë lirinë e njeri-tjetrit, pra lumturinë e njeri-tjetrit si dhe përparimin e Atdheut. Se nuk mund të ketë përparim pa liri. Liria është motori i përparimit të Europës. Rrënja e së keqes shqiptare është skllavërimi i shqiptarit nga shqiptari, urrejtja e shqiptarit për shqiptarin, urrejtja e besimit për besimin, urrejtja e fjalës për fjalën, urrejtja e veprimit për veprimin. Një urrejtje e pafund dhe shkatërruese për Shqipërinë, që mund të marrë fund vetëm me triumfin e lirisë në zemrat e shqiptarëve dhe në shtetet e tyre. Kjo e fundit do të thotë që të krijohen ato institucione, që krejt ndryshe nga tradita e derisotme otomane, fashiste, komuniste apo “demokratike”, do të kenë pavarësi, integritet dhe fuqi që të kufizojnë etjen e liderëve dhe qeverive për pushtet absolut, që nuk do t’u lejojnë qeverive të vendosin mbi fatin e njeriut, por do t’i japin liri njeriut të vendosë mbi fatin e qeverive. Këto institucione, ndër të cilat thelbësore janë gjykatat, janë e vetmja shpresë se një ditë edhe në Shqipëri, si në Europë, qeveritë do të jenë në vartësi të njeriut, dhe jo njeriu në vartësi të qeverive. Sikundër vazhdon të jetë në Shqipëri. Dhe vetëm atëherë festat e pavarësisë do të jenë edhe festat e lirisë. Vetëm atëherë bashkë me pavarësinë, shqiptarët nuk do duartrokasin edhe skllavërinë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel