Liga Arabe shpall sanksionet ndaj Sirisë

27/11/2011 08:30

Ministrat e Financave të shteteve që formojnë Ligën Arabe rekomanduan gjatë mbrëmjes së të shtunës sanksionet kundër qeverisë siriane, të vendosura për shkak të shtypjes së përgjakshme të revoltave për disa muaj me radhë.

Lajmin e bënë të ditur burime të brendshme për “CNN”, mëngjesin e ditës së dielë. Nga ana e saj, Agjensia Siriane e Lajmeve, “SANA”, paralajmëroi se “është ndërmarrë një procedurë kondradiktore me rregullat e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve arabe dhe që synon të godasë vetëm popullin sirian”.

Masa e sanksioneve pritet të votohet më vonë gjatë të dielës. Më parë gjatë javës, Damasku zyrtar nuk i ktheu një përgjigje ultimatumit të vendosur nga vendet arabe. “Sirianët u përgjigjën vetëm me një kërkesë për të ndryshuar protokollin dhe detajet e kërkesave tona. Ata asnjëherë nuk dhanë një përgjigje zyrtare nëse i refuzonin apo i pranonin kërkesat”, deklaroi një diplomat i lartë.

Midis masave ndëshkuese ekonomike që pritet të vendosen është edhe heqja e lejes së fluturimit në 22 vendet që formojnë organizatën, për të gjitha kompanitë siriane. Gjithashtu, asetet që i përkasin qeverisë apo bizneseve të vendit do të ngrihen, ndërsa zyrtarët e lartë sirianë do të shpallen “non grata” dhe do të ndalohen të hyjnë në vendet e Ligës Arabe.

Në votimin për sanksionet, 18 shtete votuan pro, Katari abstenoi, ndërsa Siria, Algjeria dhe Iraku ishin të vetmet që votuan kundër. Sipas OKB-së, që prej lëvizjes për më shumë të drejta demokratike në vend, pothuajse 4 mijë persona kanë humbur jetën në përplasjet me forcat e rendit.

Siri, ushtria vret 10 civilë

Forcat e sigurisë siriane kanë vrarë 10 civilë, midis të cilëve një adoleshent 14-vjeçar.

Lajmi bëhet i ditur nga aktivistë për të drejtat e njeriut.

5 persona kanë vdekur në periferi të Homsit, ku kanë shpërthyer përleshje të dhunshme mes ushtrisë dhe grupeve të dezertorëve.

Agjensia e lajmeve Sana bën të ditur nga ana e saj se ushtarët e Damaskut kanë vrarë 12 persona të armatosur.

 

Top Channel