Kolumbi, ekzekutohen katër pengje

27/11/2011 09:15

Rebelët e majtë në Kolumbi ekzekutuan katër pengje të mbajtur prej tyre prej më shumë se një dekade, bëri të ditur të dielën presidenti i vendit, Juan Manuel Santos.

Një peng i pestë, një polic, u gjetë i gjallë. “Ky është një shembull i ri i brutalitetit të FARC-ut. Kur përballen me forcat e sigurisë, këta rebelë nuk e kanë problem të ekzekutojnë fëmijë, gra dhe njerëz të pafajshëm në gjakftohtësi”, deklaroi Santos.

Ushtria Revolucionare e Kolumbisë (FARC) është në luftë me shtetin që prej fillimit të viteve 1960. Ndonëse autoritetet kanë arritur disa suksese të rëndësishme në këtë luftë dhe fuqia e lëvizjes ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit, pengmarrjet dhe sulmet ndaj forcave të sigurisë kanë vazhduar në mënyrë rregullt.

”Trupat e pengjeve të sekuestruar 12-13 vjet më parë u gjetën të lidhur me zinxhirë”, shtoi presidenti Santos, i cili e cilësoi këtë ngjarje si një “krim kundër njerëzimit”. Ai shtoi se shteti është më i vendosur se kurrë për të luftuar ndaj rebelëve.

Më parë gjatë muajit, në një operacion ushtarak u vra lideri i FARC-ut, Alfonso Cano. Pas vdekjes së tij, FARC lëshoi një deklaratë për shtyp, në të cilën komunikohej emri i drejtuesit të ri dhe shkruhej se grupi është i vendosur të vazhdojë luftën e tij guerrile.

Top Channel