Topi në Itali, vlerëson raportet dypalëshe

26/11/2011 19:30

Presidenti Bamir Topi është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, me ftesë të kryetarit të Bashkisë së qytetit të Torinos, Piero Fasino.

Ai u prit fillimisht nga presidenti i Këshillit Rajonal të Piemontes, Valerio Kataneo. Gjatë takimit, presidenti Topi dhe zoti Kataneo vlerësuan marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera e shumëplanëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona, si dhe bashkëpunimin e vlefshëm politik, ekonomik, shëndetësor, kulturor, akademik, duke vënë në dukje gjithashtu edhe nevojën për një intensifikim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

“Shqipëria shikon tek Italia një partner strategjik, një vend dhe një popull mik me të cilin ne kemi shprehur qartë dhe kemi dëshmuar prioritetet e bashkëpunimit të gjithanshëm në funksion të interesave të vendeve dhe popujve tanë”, vuri në dukje presidenti Topi.

Kreu i shtetit u prit edhe nga kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino. Presidenti i shprehu zotit Fasino konsideratën e lartë për rolin dhe punën e tij në mbështetje të politikave vendore që nxisin integrimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët tashmë janë një shembull i bashkëjetesës dinjitoze në Itali, sic tha Topi.

“Komuniteti shqiptar në Itali është një urë e fortë lidhëse, komunikimi mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe aftësia dhe zotësia e këtij komuniteti për t’u integruar në një kohë të shkurtër në jetën e një qytetit të zhvilluar, plot kulturë e histori, siç është Torino, dëshmon për gjenezën dhe identitetin evropian të shqiptarëve që shprehet qartazi, sidomos sot, në aspiratën e mbarë popullit për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, u shpreh presidenti i Republikës.

Top Channel