Egjipt, në kërkim snajperi që qëllon sytë

26/11/2011 17:55

“Gjahtari i syve”, me këtë emër e kanë pagëzuar protestuesit e sheshit Tahrir në Kajro një snajper që qëllon kundër tyre.

Ai quhet Mahmoud Sobhi El Shinawi, është një oficer i ushtrisë dhe akuzohet nga demonstruesit se ka qëlluar plumba gome duke marrë në shenjë sytë e shokëve të tyre.

Sipas demonstruesve, ai ka qëlluar pesë persona deri tani. Por duket se qitësit po i vjen fundi, pasi prokuroria e përgjithshme egjiptiane ka hapur një hetim mbi të dhe në sheshin Tahrir qarkullon fotoja e tij.

Në muret e sheshit kryesor të kryeqytetit egjiptian janë vendosur foto me emrin, gradën e ushtarakut, si dhe me diciturën “i kërkuar”.

Ushtria ka kryer një seri vrasjesh gjatë protestave të fundit në Egjipt, aq sa liderët ushtarakë të vendit kërkuan ndjesë për vdekjet e civilëve.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë Kamal el Ganzuri është takuar sot me disa delegacione të rinjsh pikërisht në sheshin Tahrir.

Mes delegacioneve ishin edhe përfaqësuesit e Shoqatës Kombëtare për Ndryshimin, e drejtuar nga ish-zyrtari i OKB-së, Mohamed el Baradei.

Ky i fundit dhe ish-kreu i Lidhjes Arabe, Amr Mussa, kanë zhvilluar të shtunën takime të vecanta me kreun e këshillit ushtarak, duke qenë se aspirojnë të dy për postin e presidentit të Egjiptit.

Top Channel