Zhvlerësohet ekonomia hungareze

25/11/2011 12:15

Norma e kreditimit të qeverisë hungareze u reduktua ditën e premte prej agjensisë së specializuar “Moody”, si rezultat i nivelit të lartë të borxhit dhe perspektivave të këqija të rritjes.

Budapesti zyrtar e cilësoi kompaninë e specializuar të vlerësimeve si një “instrument”, në sulmet financiare që po kryhen kundër vendit.

Më parë gjatë javës, kompania tjetër e vlerësimit, “Standard & Poor”, deklaroi se do të presë deri në mbylljen e bisedimeve të autoriteteve me BE-në dhe FMN-në, përpara se të publikojë një raport zyrtar.

Në fillim të nëntorit, Budapesti u shpreh se qeveria do të kërkojë ndihmë këshilluese nga Bashkimi Europian, por hodhi poshtë spekulimet se ka nevojë për një hua madhore.

Ministri Hungarez i Financave komentoi pas vendimit të “Moody” se: “Reduktimi i vlerësimit të ekonomisë sonë është i pabazë. Pavarësisht vështirësive të jashtme, në dy vitet e fundit janë regjistruar ndryshime pozitive në të gjithë ekonominë hungareze, ndryshime të njohura edhe nga institucionet ndërkombëtare”.

”Moody” reduktojë vlerësimin për borxhin hungarez nga B-AAA, në B-A. Në vitin 2008, Hungarisë iu akordua nga Bashkimi Europian një kredi në dispozicion për t’u shfrytëzuar prej 20 miliardë eurosh, por Kryeminjistri Viktor Orban vendosi që të mos rinovonte marrëveshjen.

Top Channel