Gërdeci, ish-kreu i Shtabit kërkon pafajësi

25/11/2011 00:00

Ka qenë radha e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Luan Hoxha që të mbrohet në gjykatë përmes avokatit të tij mbrojtës, rreth dënimit që organi i akzuës kërkoi për të me 8 vjet burgim si dhe 10 vjet heqje e të drejtës për të ushtruar një funksion shtetëror.

Nëpërmjet konkluzioneve prej 13 faqesh avokati Brahim Lahi i kërkoi gjykatës ta shpallë të pafajshëm kreun e forcave të armatosura në vitin 2008, vit në të cilin ndodhi tragjedia e 15 marsit në Gërdec.

Avokati deklaroi se general, Luan Hoxha ka kryer detyrat e tij funksionale si shef i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura dhe se në asnjë moment nuk ka shkelur ligjin referuar procedurave për ndërtimin dhe funksionimin e punishtes së demontimit në Gërdec.

Avokati shtoi se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë që të vërtetojë akuzën  që ajo i adreson gjeneralit, atë të shpërdorimit të detyrës. Sipas avokatit prokuroria nuk ka identifikuar në mënyrë korrekte veprimet e gjeneralit Luan Hoxha në këto hetime.

Avokati tha se Hoxha nuk kishte për detyrë të kontrollonte licensimin për demontimin e municioneve, dhe as për shitjen e municioneve apo për lidhjen e kontratave për të cilat gjenerali nuk ishte i ngarkuar.

Në seancë u mbrojtën edhe pesë të pandehur të tjerë, ndërkohë që për shkak të festave procesi u shty për ditën e mërkurë në orën 10.00.

Top Channel