Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka akuzuar Serbinë se tensionon qëllimisht situatën në veri të Kosovës.

Akuzat e tij Hoxhaj i ka bërë në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, ku ka theksuar se qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me serbët.

“Në veri nuk ekziston asnjë konflikt mes qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve serbë. Por atje është një grup i vogël personash të cilët financohen nga Beogradi”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës kërkuan të mërkurën nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që të rrisin presionet ndaj Serbisë.

“Pavarësisht politikës aktuale serbe, ajo e urrejtjes dhe dëmtimit të Kosovës, institucionet tona vazhdojnë të dërgojnë mesazhet e paqes, pajtimit dhe bashkëpunimit”, deklaroi kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Ai theksoi se, bota demokratike duhet të ushtrojë presion mbi autoritetet serbe, në mënyrë që ato të heqin dorë nga ndërhyrjet në Kosovë dhe tensionimi i situatës.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuci deklaroi se dialogu që po zhvillohet në Bruksel duhet të jetë konkret dhe “jo vetëm sa për sy e faqe”.

“Pala serbe duhet të jetë më konstruktive dhe vullnetin tonë për dialog besoj se SHBA dhe BE e vlerësojnë. Ato duhet ta rrisin presionin ndaj Serbisë”, tha Kuci.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA