Elbasan, plagosen rëndë dy policë

24/11/2011 00:00

Dy efektivë të policisë së patrullës së përgjithshme në Elbasan janë plagosur rëndë mëngjesin e së enjtes.

Mjeti me te cilin udhetonin doli nga rruga ne segmentin Elbasan-Peqin, pranë fshatit Bishqem. Ne mjetin e policise me targa 2030 ndodheshin policet Xhelal Toti dhe Rexhep Hyra, te cilet jane plagosur.

Të dëmtuarit janë dërguar urgjentisht për në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe gjendja shëndetësore e tyre paraqitet tepër serioze. Mësohet se në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit ka qenë dhe shkaku i aksidentit.

Gjatë këtyre katër ditëve në Qarkun e Elbasanit janë shënuar  një sërë aksidentesh me nje bilanc me dy viktima dhe 10 të plagosur ku 5 prej tyre janë efektivë të patrullës së përgjithshme të policisë.

Kështu një aksident me pasojë plagosjen e katër personave ka ndodhur në mbrëmjen e së hënës pranë stacionit të trenit në Elbasan.

Tre mjete janë përfshirë në aksident ku njëri prej tyre i përkiste patrullës së përgjithshme të policisë.

Nga përplasja kanë mbetur të dëmtuar efektivët e policisë  Bedim Stërkaj, 35 vjeç, Bashkim Blloku 48 vjec dhe Qani Ago 43 vjeç që të tre efektivë të patrullës së përgjithshme të policisë.

Ndërkaq i lënduar ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit tip Benz me targa të Shkodrës, Samet Hoxha, ndërsa nga mjeti tjetër nuk ka patur të lënduar.

Top Channel