Max Allegri dhe Milani i tij gjenden sërish përballë Barcelonës, skuadrës më të fortë në botë.
Por, në deklaratat e tij para ndeshjes së Champions trajneri italian thekson se skuadra e tij do të luajë për fitore.
“Duhet të lexojmë mirë ndeshjen, aty ku duhet të sulmojmë do ta bëjmë. Do të japim gjithçka për ta fituar këtë ndeshje, pasi e duam vendin e parë në grup”, ka përfunduar Allegri.
Te katalanasit mungon një lojtar i rëndësishëm si Iniesta, por Guardiola nuk do të bëjë ndryshime në skemën e tij 4-3-3. Shpresa e spanjollëve do të jetë padyshim te Messi, i cili nuk i ka shënuar asnjë gol skuadrave italiane. Të dyja këto ekipe e kanë siguruar kualifikimin, ndërkohë që synojnë vendin e parë në grup për të patur një kundërshtar më të lehtë se veten në turin tjetër.
Në Grupin E, sfida më e rëndësishme është Leverkusen – Chelsea. Skuadra gjermane është në kuotën e 6 pikëve dhe një fitore ndaj Bluve e ngjit atë në vendin e parë.
Arsenali do të presë në Emirates Stadium Borussia Dortmund, ndaj së cilës pretendohet një fitore për të qenë më të qetë në ndeshjen e fundit. Nga ana tjetër Marseille do të kërkojë fitoren përballë Olimpiakos, një rezultat që vulos përfundimisht kualifikimin e francezëve.
Dy kryesueset e grupit G, Zenit dhe APOEL do të ndeshen sonte në mbrëmje në kërkim të vendit të parë. Në ndeshjen tjetër Shakhtar do të presë Porton, ku do të kërkojë të rrisë shanset për qëndrimin në kompeticionet evropiane.
Top Channel