Serbia ka deklaruar se pas nisjes së bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, topi ka kaluar në fushën e Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i qeverisë serbe, Milivoje Mihajlovic ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “BETA”, se topi ndodhet në fushën e BE-së jo vetëm përsa i përket 9 dhjetorit, kur pritet të merret vendimi për dhënien ose jo të statusit të kandidatit.
“Prishtina nuk tërhiqet nga qëllimi i saj për të përdorur dialogun për konfirmimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Beogradi refuzon ta njohë”, ka deklaruar Mihajlovic.
Me këtë deklaratë, zëdhënësi ka lënë të kuptohet se qeveria e tij dëshiron rihapjen e cështjes së statusit të Kosovës, të cilën Beogradi e konsideron ende të pazgjidhur.
Vetë presidenti Boris Tadic e konsideron Kosovën një cështje serioze për mbarë botën, zgjidhja e të cilës sipas tij është shumë e vështirë.
Dy ditë më parë ai deklaroi se bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës nuk do të sjellin në asnjë rrethanë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Analistët e cështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se politika e Beogradit zyrtar vazhdon të jetë e dyanshme.
Në njërin drejtim me përpjekje për të mos prishur raportet me Brukselin dhe në drejtimin tjetër me qëllimin ta mbajë nën tension situatën në veri të Kosovës.
Top Channel