Renditja e FIFA-s, Shqipëria humbet 4 pozicione

23/11/2011 10:40

Kombëtarja shqiptare ka humbur 4 pozicione në renditjen e FIFA-s për muajin nëntor, duke u pozicionuar tashmë në vendin e 75-të.

Humbja e pozicioneve të kombëtares ka ardhur pas ndeshjeve me Azerbajxhanin e Maqedoninë, ku përfaqësuesja kuqezi humbi 1-0 në Qemal Stafa ndaj kombëtares azere dhe barazoi 0-0 ndaj fqinjëve në Prilep.

Këtë renditje e kryeson Spanja edhe pse humbi miqësoren ndaj Anglisë (1-0) dhe barazoi atë ndaj Kosta Rikës (2-2). Kampionët e Botës dhe Europës ndiqen nga Hollanda, Gjermania dhe Uruguaji, duke lënë të pandryshuar 4 pozicionet e para që nga muaji i kaluar.

Anglia është ngjitur në vend të pestë duke zbritur Brazilin në të gjashtin. Italia ka zbritur tre vende në renditje dhe tashmë pozicionohet në vend të nëntë duke u kaluar nga Portugalia dhe Kroacia në renditjen e FIFA-s.

Dhjetëshja e parë mbyllet nga Argjentina.

Renditja FIFA e muajit nëntor ka marrë për bazë 131 ndeshje ndërkombatare të luajtura në këtë muaj. 72 ndeshje kanë qenë të vlefshme për eliminatoret e botërorit Brazil 2014, 8 për kualifikueset e Euro 2012 dhe 51 kanë qenë miqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA