“Fëmijët e emigrantëve, nënshtetas italianë”

23/11/2011 02:00

Për herë të dytë brenda pak ditësh Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano prek temën e shtetësisë italiane për fëmijët e emigrantëve.

Por nëse më parë ai u tregua më diplomatik, këtë herë ai e cilësoi si “çmenduri dhe absurditet faktin që fëmijët e lindur në Itali nga prindër të huaj të mos jenë italianë”.

Kreu i shtetit nxiti parlamentin për të hapur çështjen e reformës së ligjit të nënshtetësisë.

Ai deklaroi se “kështu fitohen energji të reja në një shoqëri që në një farë mënyre është e plakur, për të mos thënë e sklerozuar”.

Por tema e përmendur me kaq forcë nga Presidenti i Republikës është një nerv i zhveshur për Lidhjen e Veriut e cila deklaron se do të ngrejë barrikada dhe se në këtë betejë ka me vete shumicën e qytetarëve.

Përfaqësues të lartë të kësaj partie e konsiderojnë këtë reformë si “Kalin e Trojës” për t’i dhënë të drejtën e votës emigrantëve.

Menjëherë pas fjalëve kaq të vendosura të Kryetarit të Shtetit, një grup prej 113 senatorësh të opozitës depozitoi një propozim për një ligj që parashikon nënshtetësinë italiane për çdo fëmijë të lindur në vend, pavarësisht nga prejardhja e prindërve.

Top Channel