Policia ndalon Likën e Ruçin

22/11/2011 19:55

Pas përfundimit të ekspertizës së aksidentit të rëndë rrugor në rrugën e Elbasanit mbrëmjen e së dielës, Prokuroria firmosi dy urdhëra arresti, një për drejtuesin e automjetit “Mini Kuper”, Edi Lika, 34 vjeç dhe një tjetër për djalin e deputetit Gramoz Ruçi, Ledion Ruçi, 26 vjeç, i cili drejtonte një automjet “BMË-X6”.

Gjatë aksidentit të rëndë humbi jetën një vazjë 27-vjeçare dhe u plagosën dy shtetas të tjerë. Gjatë një komunikimi për shtyp, Drejtoria e Policise së Qarkut Tiranë, njoftoi ndalimin e të dy shoferëve që shkaktuan aksidentin.
 
Sipas ekspertizës rezultoi se të dy drejtuesit e automjeteve nuk kanë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe janë konsideruar fajtorë në shkaktimin aksidentit me pasojë vdekjen e një personi.
 
Sipas ekspertëve, fajësia më e madhe rëndon mbi drejtuesin e automjetit “Mini Cuper”, i cili nuk e ka respektuar semaforin, duke qarkulluar në bulevardin “Bajram Curri”, me drejtim zonën e Brrylit në Tiranë.

Ndërsa automjeti “BMË-X6” ka qenë duke ardhur me shpejtësi të tepruar nga rruga “Xhorxh Bush”, në afërsi të godinës së parlamentit me drejtim kalimin drejt rrugës së Elbasanit.

Gjatë këtij aksidenti humbi jetën Brunilda Pinderi, 27 vjeç, e cila udhëtonte në automjetin “Mini cuper”, si edhe u dëmtua rëndë një vajzë 18 vjeç.

Top Channel