OKB, rezolutë e re kundër Sirisë

22/11/2011 16:05

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania do t’i kërkojnë OKB-së që të kalojë një rezolutë ndëshkuese për dhunën në Siri, lajmëruan të martën mediat ndërkombëtare.

Një nismë e tillë u hodh poshtë në muajin tetor nga vetoja ruse dhe kineze, që shprehën shqetësimin e tyre se rezoluta mund të përdorej si justifikim për një ndërhyrje si në Libi. Megjithatë, duket se tre fuqitë e mëdha europiane kanë përpunuar një dokument të ri, i cili pritet të jetë më i pranueshëm nga të gjithë.

Rezoluta do të paraqitet fillimisht në përfaqësinë e përgjithshme të shteteve, ku Londra, Parisi dhe Berlini shpresojnë të fitojnë një mbështetje të gjerë ndërkombëtare, përpara se dokumenti të kalojë për miratimin në Këshillin e Sigurimit.

SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina janë pesë superfuqitë që u njihet e drejta e vetos dhe që formojnë këtë Këshill, së bashku me dhjetë antarë të tjerë të zgjedhur ne rotacion.

Ndërkohë, Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që të japë dorëheqjen menjëherë, për të shmangur gjakderdhje të reja.

Të hënën, një autobuz turk u vendos nën breshërinë e armëve të ushtarëve qeveritarë, në një ngjarje që është trajtuar si një incident i rëndë diplimatik nga Ankaraja zyrtare.

Më shumë se 3 500 persona kanë humbur jetën në Siri që prej fillimit të revoltave në muajin mars, vlerëson Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Top Channel