Kryeprokurori i Hagës në Libi

22/11/2011 11:35

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte ka mbërritur në Libi, pas fundjavës që u karakterizua me kapjen e të birit të Muammar Gaddafi-t, Saif al Islam.

Gjykata në fjalë e akuzon Saif për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuzë të cilën ai e mohon.

Gjithashtu, gjykata kishte lëshuar një urdhër-arrest edhe për ish-shefin e spiunazhit të regjimit libian, Abdullah al Sanussi, i cili ka përfunduar gjithashtu në pranga.

Vizita e Luis Moreno Ocampo vjen në një moment kur në Libi pritet të shpallet qeveria e re, tre muaj që nga rënia e kolonelit Gaddafi nga pushteti.

Ky do të jetë hapi i parë për formimin e një qeverie të zgjedhur, ndërkohë që autoriteti tranzicional ka për detyrë formimin e kushtetutës dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike më vonë.

Kryeministri në detyrë, Abdurrahim al Keib deklaroi se të gjitha rajonet e Libisë do të përfaqësohen.

Kryeprokurori Ocampo dhe zëvendësi i tij, Fatou Bensouda po drejtojnë një delegacion që do të takohet me autoritetet e reja të Libisë, në kuadër të një përpjekjeje të koordinuar për gjykimin e Saif al Islam.

Qeveria e Tripolit ka deklaruar se dëshiron që ai të gjykohet në Libi, ndërsa kryeprokurori thotë se cëstha duhet të zgjidhet me maturi.

“Cështja se ku do të mbahen gjyqet duhet të zgjidhet përmes konsultimeve me gjykatën. Fjala e fundit i takon gjykatës, pasi ka standarte ligjore që duhet të respektohen”, ka deklaruar Ocampo.

Ndërkohë, Sanussi, kunat i kolonelit Gaddafi, thuhet se u arrestua në shtëpinë e motrës së tij në qytetin jugor të Sabhës, ditën e diel.

Top Channel