Falimenton kompania ajrore e “Iron Maiden”

21/11/2011 19:05

Një prej zërave më të mëdhenj të muzikës metal, Bruce Dickinson, vokalisti i grupit “Iron Maiden”, mund të jetë i detyruar të nisë të punojë në kohë të plotë në industrinë muzikore, pasi kompania ajrore ku punonte prej vitesh si pilot lajmëroi ndërprerjen e fluturimeve për shkak të vështirësive financiare.

Prej kohësh, këngëtari i një prej grupeve më të suksesshme në historinë e muzikës, ka magjepsur fansat e tij me dualizmin, që e çonte nga një këngëtar “i shkalluar” dhe zë madhështor në skenë, në një pilot të përgjegjshëm dhe serioz jashtë saj.

53-vjeçari Dickinson ishte duke drejtuar një boeing të “Astraeus Airlines”, me 250 pasagjerë në bord, nga Xhedah në Arabinë Saudite në Mançester, kur mësoi se kompania e tij kishte deklaruar falimentimin dhe ndaj saj ishte vendosur urdhëri për të pezulluar çdo fluturim.

Një kompani çarterash, “Astraeus Airlines” vuajti rënien e dukshme të interesit të pushuesve për udhëtime gjatë sezonit të verës.

Në vitin 2008, “Iron Maiden” bënë bujë duke marrë me qera një “Boeing 757”, të drejtuar nga këngëtari i tyre, gjatë turit botëror “Somewhere back in time”. Linja u pagëzua me emrin ikonik të robotit të tyre, “Ed Force One”. Në 54 ditë të ngjeshura shfaqjes, Dickinson fluturoi grupin e tij muzikor, pajisjet dhe rreth 100 fansa të zgjedhur, në 30 destinacione të ndryshme në botë.

Dickinson, me tërheqjen mediatike që tërheq mbi vete, nuk duhet ta ketë të vështirë të gjejë një kompani të re fluturimi. Megjithatë, për tifozat, ky mund të jetë një lajm i mirë, pasi mund ta lejojë “Iron Maiden” të përqendrohen në përpjekjet për një album të ri.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel